IZOLIMI I IMPONUAR: OBSH paralajmëron për krizë globale të shëndetit mendor për shkak të koronavirusit

Për shkak të izolimit të imponuar, varfërisë dhe ankthit, për shkak të pandemisë me koronavirusin, po kërcënohet krizë globale e shëndetit mendor, paralajmëroi drejtuesja e departamentit të shëndetit mendor të Organizatës Botërore të Shëndetit.

“Izolimi, frika, pasiguria dhe rënia ekonomike shkaktojnë ose mund të shkaktojnë probleme psikologjike,” theksoi Devora Kestel, drejtuese e departamentit të shëndetit mendor të OBSH-së.

Kestel, duke paraqitur raportin e KB dhe udhëzimet për çështjet e pandemisë me koronavirusin dhe shëndetin mendor, tha se kishte pasur një rritje të qartë të numrit të sëmundjeve mendore dhe ashpërsisë së tyre, si dhe u bëri thirrje qeverive që ta vendosin çështjen në qendër të përgjigjes së tyre.

“Shëndeti mendor dhe mirëqenia e të gjitha shoqërive janë prekur fuqimisht nga kriza dhe janë përparësi që duhet të fillojnë të vendosen urgjentisht”, theksoi Kestel.

Raporti nxjerr në pah disa rajone dhe shtresa sociale që janë më të rrezikuarit nga sëmundjet mendore – përfshirë edhe fëmijët dhe të rinjtë e izoluar nga miqtë, si dhe punonjës të shëndetit përballë një numri njerëzish që kanë vdekur nga koronavirusi.

Kërkimet e deritanishme kanë treguar tashmë ndikimin e pandemisë globale në shëndetin mendor. Psikologët tregojnë se po shohin rritje të numrit të njerëzve me ankth dhe depresion në shumë vende.

Dhuna në familje është gjithashtu në rritje, ndërsa punonjësit e shëndetit gjithnjë e më shumë po kërkojnë ndihmë psikologjike.