Kur bëhet fjalë për kohën para ekranit, mund të jetë më pak e rëndësishme të përqendrohemi tek ajo se sa gjatë fëmijët i përdorin pajisjet.
Studiuesit në Australi analizuan më shumë se 2000 studime që përfshinin më shumë se dy milionë fëmijë për të përcaktuar avantazhet dhe disavantazhet e kohës para ekranit tek fëmijët. Ata zbuluan se është më e rëndësishme të merret në konsideratë lloji i përmbajtjes së parë sesa sa kohë shikohet.
Në përfundimin e studimit të botuar në “Nature Human Behavior”, studiuesit nga Universiteti Katolik Australian shkruan: “Kemi zbuluar se natyra e ndërveprimit ka rëndësi. “Platformat digjitale mund të përdoren për të përmirësuar rezultatet arsimore, por ato gjithashtu mund të shkaktojnë dëm.”
Të shikosh televizor me prindërit është një zgjedhje më e mirë
Në të gjitha studimet morën pjesë fëmijë nën moshën 18 vjeç. Fëmijët që shikonin televizor me prindërit e tyre e përmirësonin shkrim-leximin e tyre në krahasim me ata që thjesht ishin ngjitur pas ekraneve.
Studiuesit kanë sugjeruar se shikimi i televizorit me prindërit mund të përmirësojë shkrim-leximin, sepse ata shpesh përcaktojnë se çfarë shikon një fëmijë, duke rritur gjasat për të parë programe edukative. Ata gjithashtu mund t’u bëjnë pyetje fëmijëve rreth programit, gjë që i inkurajon ata të përfshihen dhe të eksplorojnë temën.
Një lidhje e ngjashme vërehej me videolojërat, të cilat ishin të dobishme vetëm kur inkurajonin fëmijët të zhvillonin aftësinë për të kuptuar dhe për të punuar me numrat. Studiuesit zbuluan gjithashtu se shikimi i reklamave në pajisjet digjitale, të tilla si televizorët dhe kompjuterët, çon më shpesh në zgjedhje ushqimore jo të shëndetshme.
Mjekët pediatër u bëjnë thirrje prindërve të ndalojnë ekranet për fëmijët nën 18 muajsh
Një mjek amerikan, Dr. Vivek Marti, paralajmëron se koha e tepërt para ekranit mund të ndikojë në zhvillimin e trurit dhe lidhet me lodhjen, gjumin e dobët, vonesat në të folur dhe problemet e sjelljes.
Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) nuk rekomandon përdorimin e televizorit për fëmijët nën 18 muajsh. Për fëmijët nga 18 muaj deri në dy vjeç, AAP rekomandon vetëm përmbajtje me cilësi të lartë dhe shikimin e ekranit vetëm nën mbikëqyrje. Fëmijët e moshës dy deri në pesë vjeç duhet të kufizojnë kohën para ekranit në një orë.