Melatonina është hormon të cilin e krijon epifiza, një gjëndër e vogël në mes të trurit. Prej kohësh dihet se melatonina është rregullator i ritmit të ditës dhe natës dhe se sekretimi i saj varet nga ndryshimi i ditës dhe natës. Melatonina sekretohet vetëm në mbrëmje, në errësirë, ndërsa shtysë për sekretimin e saj është qëndrimi gjatë ditës në diell. Pra, truri duhet të marrë informacion se dita ka mbaruar dhe se nata ka filluar të krijojë melatonin.
Studime të shumta shkencore konfirmojnë se, melatonina luan rolin e antioksidantit më të fortë në trup.
“Gjatë metabolizmit qelizor krijohen shumë produkte të oksidimit, të cilat ne i quajmë radikale të lira të oksigjenit dhe të cilat veprojnë si elemente korrozive. Melatonina gjatë natës i largon radikalet e lira dhe parandalon dëmtimin e qelizave. Ky është një tjetër shembull i qartë që vërteton se trupi ynë posedon mekanizmat e vet për riparim të brendshëm, kështu që nëse i ndjekim ritmet natyrore të jetës, parandalojmë edhe shfaqjen e sëmundjeve”, sqarojnë profesionistët.
Por ata shtojnë se, për fat të keq, në stilin e përshpejtuar të jetës gjëja e parë që e mohojmë është pikërisht gjumi. Ne jemi të bindur se gjumi mund të presë, thonë mjekët.
Problemi është se të gjitha aktivitetet e mbrëmjes e bllokojnë sintezën e melatoninës dhe ndihmojnë në korrozionin e trupit tonë. Plakja e lëkurës, pesha e tepërt, rritja e tensionit të gjakut, diabeti i tipit 2, gjendjet kronike, glaukoma, infertiliteti, ankthi, depresioni, migrena dhe tumoret malinje janë gjendje tek të cilat shkencërisht është vërtetuar mungesa e melatoninës.
Në kuptimin fizik, mungesa e melatoninës paraqitet si sindroma e këmbëve të shqetësuara, çrregullimi që e pengon gjumin, lodhja, dhimbje në bark nga shkaktarë të panjohur, shenjat e plakjes së parakohshme, zbardhja e flokëve, shfaqja e rrudhave, depigmentimi i lëkurës…