Pothuajse një e treta e pacientëve që kanë kaluar COVID-19 raportuan të paktën një simptomë të vazhdueshme 6 deri në 12 muaj pas infektimit me koronavirus, tregon një studim danez i zhvilluar me 152 000 individ.
Studimi përfshin një nga grupet më të mëdha të pacientëve me COVID-19 deri më tani, ndërsa është e rëndësishme të theksohet se të anketuarit nuk janë shtruar në spital për shkak të pasojave të kësaj sëmundjeje.
Gjendja e tyre është monitoruar për një kohë të gjatë në krahasim me studime të tjera të mëdha më të hershme, thanë shkencëtarët nga Instituti State Serum në Danimarkë, një organ kryesor shëndetësor në fushën e sëmundjeve infektive.
Studimi i bazuar në pyetësor tregoi se pjesëmarrësit më shpesh raportuan simptoma afatgjata si, ndryshime në shqisën e nuhatjes dhe shijes, por edhe lodhje të vazhdueshme.
Hulumtimi u krye midis shtatorit 2020 dhe prillit 2021, shumë kohë përpara shfaqjes së variantit omicron. Sondazhi krahasoi përgjigjet e 61 000 individëve që ishin pozitiv me koronavirus gjashtë, nëntë ose 12 muaj më parë me përgjigjet e individëve nga grupi prej 91 878 të anketuarve që rezultuan negativ.
Në përgjithësi, 29.6 përqind e të anketuarve që rezultuan pozitiv me COVID-19 raportuan të paktën një simptomë fizike të vazhdueshme 6 deri në 12 muaj pas infektimit, krahasuar me 13 përqind të atyre në grupin e kontrollit.
MË SHUMË SE GJYSMA E ATYRE QË ISHIN POZITIV ME COVID-19 NDJENIN SIMPTOMAT AFATGJATA
Pak më shumë se gjysma (53.1 përqind) e njerëzve që rezultuan pozitiv me COVID-19 thanë se ndiheshin të rraskapitur mendërisht ose fizikisht, kishin probleme me gjumin ose raportuan një sërë problemesh njohëse brenda gjashtë deri 12 muajve nga fillimi i infeksionit. Në grupin e kontrollit, probleme të tilla janë raportuar nga 11.5 përqind e të anketuarve.
Studimi, i cili akoma nuk është rishikuar, tregoi se në mesin e atyre që e kishin kaluar COVID-19, rastet e reja të diagnostikuara me depresion dhe ankth janë më të shpeshta.
Autori i studimit, Andres Hvid, profesor i epidemiologjisë në SSI, tha se rezultatet e studimit ishin një tjetër tregues se politikëbërësit duhet të marrin parasysh pasojat e shumëpritura të COVID-19.
“Kjo duhet të merret parasysh kur peshohen rreziqet dhe përfitimet e ndërhyrjes mjekësore dhe vaksinimit”, tha ai, duke shtuar se nevojiten kërkime të mëtejshme.
Vlerësimet e deritanishme të prevalencës së COVID-19 afatgjatë ndryshojnë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e quan sindromën e fillimit gjendje post-kovid të karakterizuar nga disa simptoma të përhershme, si lodhja ose gulçimi, që ndodhin tre muaj pas fillimit të infeksionit dhe zgjasin të paktën dy muaj.
OBSH vlerëson se simptoma të tilla prekin midis 10 dhe 20 për qind të të prekurve.
David Stein, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit Exeter në Britani, i cili nuk mori pjesë në studim, i përshkroi gjetjet e raportit si “mjaft shqetësuese”.
“Nëse omicron shkakton COVID-19 afatgjatë në të njëjtën përqindje si variantet e mëparshme të koronavirusit, në 12 muajt e ardhshëm mund të kemi krizë të madhe me pacientët me shëndet të dobët, veçanërisht duke pasur parasysh numrin e njerëzve që janë ekspozuar ndaj këtij lloji të koronavirusit”, thekson profesori.