Jini këmbëngulës në luftën kundër infeksioneve fungale të shputave

Infeksioni kërpudhor i shputave (Tinea pedis) është një nga sëmundjet më të zakonshme infektive të lëkurës

Kërpudha Trichophyton shkakton skuqje, kruajtje të lëkurës, plasaritje dhe qërim. Vendi i zakonshëm ku “sulmojnë” janë shputat, saktësisht hapësirat midis gishtave, të cilat zakonisht janë të lagura dhe ideale për shumimin e kërpudhave. Por infeksioni nuk kufizohet vetëm në këtë zonë: kërpudhat mund të sulmojnë edhe lëkurën e kokës, duke lënë pas pjesë të rrumbullakosura, të kuqe, njejtë edhe te stomaku, duke shkaktuar kruajtje dhe ënjtje të lëkurës.

Gratë janë më të mbrojtura nga ky sulm, sesa meshkujt. Ndoshta sepse shpesh veshin sandale të hapura, kështu që gishtat janë të thatë dhe të ekspozuar ndaj ajrit, përderisa meshkujt zakonisht mbathin atlete dhe këpucë të mbyllura.

Kërpudhat zakonisht gjenden në lëkurën tonë, por kur do të aktivizohen dhe shumëfishohen është çështje e faktorëve të tjerë. Tek këta faktorë ekspertët përfshijnë ndjeshmërinë gjenetike, rënien e imunitetit ose shfaqjen e problemeve shëndetësore si ekzema, astma… Në fakt, nuk ka rregulla. Thjesht disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj kërpudhave, sesa të tjerët.

Infeksioni trajtohet me aplikimin lokal të antimikotikëve (medikamente që vrasin kërpudhat). Nëse nuk reagoni në fillim të infeksionit, nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm një dozë terapi për të hequr qafe këtë infeksion të bezdisshëm. Dermatologu do t’ju përshkruajë terapi përsëritëse, ndërsa në rastet më të rënda do të japë edhe barna orale.


Për të shmangur infeksionet, kushtoni vëmendje higjienës së këmbëve. Bëni dush rregullisht dhe çdo herë thani tërësisht shputat tuaja dhe hapësirën midis gishtave me një leckë të thatë. Kur jeni në ambiente të mbyllura, qëndroni këmbëzbathur sa më gjatë që të jetë e mundur.


Nëse keni infeksion fungal, pas dushit dezinfektojeni banjën. Mos e ndani peshqirin me askënd, ndërsa çorapët lani me ujë të nxehtë. Rregullisht aplikoni pudër në shputa, e cila do ta thith lagështi. Nëse shputat tuaja janë të infektuara, kërpudhat gjenden edhe në këpucët tuaja. Kujdesuni për këtë dhe dezinfektoni ato çdo ditë me sprej ose pudër kundër infeksioneve kërpudhore.

Lufta kundër kërpudhave shpesh mund të jetë e qëndrueshme. Prandaj, rekomandohet reagim në kohë, përndryshe terapia mund të zgjasë me muaj.