Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të zakonshme që sot i prek gratë. Nëse nuk zbulohet në kohë, mund të përhapet edhe tek organet tjera. Shkaktarët e saktë të kancerit të gjirit akoma nuk janë provuar shkencërisht, por është e sigurtë që predispozita gjenetike si dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj stresit, mosha, pirja e duhanit, terapitë hormonale të ndryshme dhe të ngjashme, mund të ndikojnë në shfaqjen e kancerit të gjirit.
Megjithëse deri më tani besohej se ishte më i rrezikshëm për gratë më në moshë, kanceri i gjirit pothuajse në mënyrë të barabartë i sulmon edhe vajzat e reja dhe gratë.
Për këtë shkak kontrollet e rregullta janë mjaftë të rëndësishme. Vetëkontrolli duhet të bëhet çdo muaj dhe të ndiqet pamja e gjinjve. Bëhet në një mënyrë të thjeshtë, para pasqyrës, me ndriçim të mirë. Ngrini duart lart dhe kontrolloni nëse ka ndonjë parregullsi. Pastaj, me dorën e majtë, me lëvizje rrethore, prekni gjirin në anën e djathtë, pastaj këtë lëvizje përsëriteni me dorën e djathtë në gjirin në anën e majtë. Të njëjtën gjë përsëriteni në pozicionin e shtrirë, pasi që në atë mënyrë mund të ndjehen më mirë gjëndrat e brendshme.
Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që t’u kushtohet vëmendje disa nga simptomave të mëposhtme, të cilat mund të tregojnë për fazën e hershme të kancerit të gjirit. Nëse i hetoni ato, menjëherë kontaktoni mjekun.
- Nyje jo të zakonshme të forta
- Dhimbje tek gjinjtë ose në thitha
- Ndjeshmëri e pazakonshme
- Ndryshimet si skuqje dhe ënjtje
- Ndryshimi i formës së thithave
- Sekret nga thithat
- Kruajtje ose plagë