Ato janë të mbështjellura me qeliza që prodhojnë mukozë, e cila parandalon tharjen e brendshme të hundës gjatë frymëmarrjes. Ekzistojnë disa parasinuse të emërtuara sipas kockave që i rrethojnë:
- Sinuset frontale janë në pjesën e poshtme të ballit, mbi hundë
- Sinuset maksilare janë të vendosura sipër mollëzave në të dyja anët e hundës
- Sinuset etmoide janë ngjitur me pjesën e sipërme të hundës, midis syve
- Sinuset sphenoide janë sipër hundës, në mes të kafkës.
Hunda hapet në zgavrën e hundës, e cila ndahet në dy pasazhe të hundës përmes të cilave kalon ajri gjatë frymëmarrjes. Zgavra e hundës ndodhet mbi kockën që kalon përmes gojës dhe bashkohet me faringun në pjesën e pasme. Sinuset paranazale dhe zgavra e hundës së bashku filtrojnë dhe ngrohin ajrin dhe e bëjnë atë të lagësht përpara se të shkojë në mushkëri.
Kanceri i sinuseve paranazale dhe zgavrës së hundës është një nënlloj i tumoreve malinje të kokës dhe qafës. Lloje të ndryshme qelizash në sinuset paranazale dhe zgavrën e hundës mund të bëhen malinje, lloji më i zakonshëm është karcinoma e qelizave skuamoze. Ky lloj kanceri shfaqet në qelizat e holla dhe të sheshta që rreshtojnë pjesën e brendshme të sinuseve paranazale dhe zgavrën e hundës. Llojet e tjera të kancerit në këtë fushë përfshijnë:
- Adenokarcinoma: tumoret e epitelit të gjëndrave
- Melanomat: fillojnë në qelizat e quajtura melanocite, qeliza që i japin lëkurës ngjyrën e saj natyrale
- Sarkomat: Kanceri që fillon në muskuj ose indin lidhës
- Papillomat inverto: tumore beninje që shfaqen brenda hundës, një pjesë e vogël e tyre mund të kthehet në një formë malinje.
FAKTORËT E RREZIKUT
Faktorët e rrezikut për kancerin e sinuseve paranazale dhe zgavrës së hundës përfshijnë:
Ekspozimi ndaj kimikateve të caktuara ose pluhurit në vendin e punës (disa nga profesionet e rrezikshme janë prodhimi i mobiljeve, puna në sharra, përpunimi i drurit (zdrukthtari), prodhimi i këpucëve, metalurgjia, puna në mulli ose furrë buke).
- Infeksioni me human papillomavirusin (HPV).
- Mashkull, mosha mbi 40 vjeç
- Pirja e duhanit
SHENJAT DHE SIMPTOMAT
Simptomat e para të sëmundjes shpesh janë jo specifike, domethënë mund të shkaktohen nga kanceri i sinuseve paranazale dhe zgavrës së hundës, si dhe nga gjendje/sëmundje të tjera (beninje). Gjithashtu, disa pacientë nuk kanë asnjë simptomë në fazat e hershme të sëmundjes, por ato shfaqen vetëm pas njëfarë kohe, pasi masa tumorale rritet.
Duhet patjetër të kontaktoni mjekun nëse vëreni ndonjë nga shenjat e mëposhtme:
- Sinuset e bllokuara që nuk pastrohen ose presion në zonën e sinusit
- Dhimbje koke ose dhimbje në zonën e sinuseve
- Rrjedhje hundësh
- Gjakderdhje nga hunda
- Gungë ose plagë në hundë që nuk shërohet
- Ënjtje ose probleme të tjera të syve, të tilla si shikimi i dyfishtë ose sytë që drejtohen në drejtime të ndryshme
- Dhimbje në dhëmbët e sipërm, dhëmbë të lirshëm ose proteza që nuk përshtaten më mirë
- Dhimbje ose presion në vesh
CAKTIMI I DIAGNOZËS
Baza është ekzaminim i detajuar i pacientit dhe marrja e një historie të plotë mjekësore. Ekzaminimi i pacientit është i rëndësishëm për të kontrolluar shenjat e mundshme të sëmundjes, të tilla si gunga, nyjet limfatike të zmadhuara ose çdo gjë tjetër që duket e pazakontë. Zakonisht kryhet ekzaminimi i përbashkët i hundës, fytyrës dhe qafës. Nëse zbulohet ndonjë lezion i dyshimtë, mund të kërkohet për biopsi. Ai përfshin marrjen e qelizave ose indeve në mënyrë që patologu t’i ekzaminojë ato nën një mikroskop dhe të kontrollojë për shenja të kancerit. Lloji i saktë i biopsisë së nevojshme do të përcaktohet nga mjeku. Nasoskopia është procedurë endoskopike që kërkon zonë jonormale brenda hundës me ekzaminim të drejtpërdrejtë. Nasoskopi është instrument i hollë si tub me dritë dhe lente për të parë. Për të marrë mostër indi mund të përdoret gjithashtu edhe mjeti i veçantë nazoskop.
Pasi të diagnostikohet kanceri i sinuseve paranazale dhe zgavrës së hundës, bëhen teste për të zbuluar nëse qelizat e kancerit janë përhapur në sinuset paranazale dhe zgavrën e hundës ose në pjesë të tjera të trupit. Më shpesh bëhen ekzaminime radiologjike si CT, MR, PET/CT dhe të tjera.
PROGNOZA DHE STADI I SËMUNDJES
Prognoza dhe opsionet e trajtimit varen nga vendi ku ndodhet tumori në sinusin paranazal ose zgavrën e hundës, nëse është përhapur në organet e largëta, madhësia e tumorit, lloji i kancerit, mosha e pacientit dhe shëndeti i përgjithshëm, si dhe nëse kanceri është diagnostikuar për herë të parë ose është përsëritur. Kanceri i sinuseve paranazale dhe i zgavrës së hundës është shpesh në një fazë të avancuar në diagnostikim dhe i vështirë për t’u kuruar. Pas përfundimit të trajtimit, ndjekja e shpeshtë dhe e kujdesshme gjatë gjithë jetës është e rëndësishme sepse ekziston rrezik në rritje për të zhvilluar një lloj tjetër kanceri të kokës ose qafës. Sëmundja ndahet në 4 faza, faza e katërt tregon sëmundje shumë të avancuar ose praninë e metastazave. Sa më i lartë të jetë stadi, aq më e avancuar është sëmundja dhe aq më e keqe është prognoza dhe mundësitë e trajtimit.
TRAJTIMI
Lloje të ndryshme trajtimesh janë në dispozicion për pacientët me kancer të sinuseve paranazale dhe zgavrës së hundës. Disa trajtime janë standarde (trajtime aktualisht në përdorim), ndërsa disa janë duke u testuar në prova klinike. Duke pasur parasysh kompleksitetin e kësaj sëmundjeje, trajtimi i pacientëve me kancer të sinuseve paranazale dhe zgavrës së hundës duhet të planifikohet nga një ekip mjekësh që kanë ekspertizë në trajtimin e kancerit të kokës dhe qafës.
Pacientët me këtë sëmundje mund të kenë nevojë për ndihmë të veçantë për t’iu përshtatur problemeve të frymëmarrjes ose efekteve të tjera anësore të kancerit dhe trajtimit të tij. Nëse operacioni heq shumicën e indeve ose kockave rreth sinuseve paranazale ose zgavrës së hundës, mund të nevojitet kirurgji plastike për të korrigjuar defektin.
Përdoren tre lloje të trajtimit standard – kirurgji (operacion), radioterapi (rrezatim) dhe kimioterapi. Trajtimi specifik te një pacient individual varet nga lloji i tumorit, gjendja e përgjithshme e pacientit dhe faza e sëmundjes. Duke qenë se tumoret e sinuseve paranazale dhe të hundës janë një grup sëmundjesh, çdo sëmundje/lokacion ka specifikat e veta. Shumica e pacientëve do të kenë nevojë për kombinim të formave të shumta të trajtimit për të arritur rezultate optimale.