Kanceri i lukthit është lloj shumë i përhapur i tumorit malinj, i cili mund të gjendet në pjesën e sipërme të lukthit, në mukozën dhe në vetë organin. Kjo është një sëmundje me vdekshmëri të lartë, më së shpeshti e diagnostikuar tek meshkujt e cila në shumicën e rasteve është pasojë e abuzimit me “gëzimet e jetës”, siç janë ushqimi i papërshtatshëm, zakonet e dëmshme si dhe faktorët infektiv dhe gjenetik.
Tek 80-90% e pacientëve të diagnostikuar me kancer të lukthit, në trup përhapen metastazat – tumoret dytësore. Shumë shpesh ata gjenden në mushkëri, pasiqë një sasi e madhe e gjakut pumpohet nëpërmjet këtij organi, përmes të cilit shumëfishohen dhe përhapen qelizat malinje. Prandaj është e rëndësishme që këto shenja sekondare të sëmundjes të diagnostikohen në kohë.
“Në fazat e hershme, kanceri i lukthit pothuajse nuk vërehet, kështu që pa ekzaminime të veçanta dhe të hollësishme është shumë e vështirë që të përcaktohet kjo sëmundje”, shpjegojnë ekspertët nga Klinika Universitare në Freiburg – Gjermani.
Pikërisht për këtë arsye, ekspertët thekojnë se është e rëndësishme që njerëzit t’i kushtojnë vëmendje simptomeve të mëposhtme:
- Oreks i dobët, nauze, të vjella;
- Aciditet dhe humbja e tepërt e peshës;
- Aciditet i shtuar, jashtëqitje me ngjyrë të errët;
- Vazhdimisht dhimbje barku.
Natyra e dhimbjes shpesh sinjalizon përhapjen e kancerit tek organet tjera:
- Dhimbja e shpinës është tipike për problemet me pankreasin;
- Dhimbja e ngjashme me anginën – përhapje në diafragmë;
- Nauzea, lëvizja e zorrës së trashë, kapsllëku – paraqet alarm për tumor në zonën e zorrës së trashë.