Test i ri diagnostikues mund të zbulojë ARN e koronavirusit SARS-CoV-2, i cili shkakton sëmundjen COVID-19. Mostra merret nga urina, gjaku, pështyma, si dhe bris nga hunda dhe fyti, ndërsa rezultati merret në vetëm gjysmë ore, sipas studimit të ri të botuar në revistën Plos One. Ky punim shkencor është nënshkruar nga Laura Lamb dhe kolegët e saj nga Beaumont Health System.
SARS-CoV-2 është e vështirë për t’u diagnostikuar në fazë të hershme të infeksionit, pasiqë pacientët mund të jenë asimptomatikë ose të kenë simptoma të buta, simptoma jospecifike. Standardi aktual diagnostik PCR (qRT-PCR) kërkon pajisje të shtrenjta dhe staf të trajnuar, kështu që është i disponueshëm vetëm në laboratorë të caktuar.
Lamb dhe kolegët përdorën metodën RT-LAMP të shumëzimit të acidit nukleik. Reagentët janë të lirë dhe mund të ruhen në temperaturën e dhomës, teknika funksionon në lloje të ndryshme të mostrave, ndërsa është zbuluar se është shumë specifike, e ndjeshme dhe e shpejtë për sëmundjet e tjera infektive.
Hulumtuesit zhvilluan test diagnostik RT-LAMP për SARS-CoV-2 dhe matën efektivitetin e mostrave të gjakut, urinës, pështymës dhe bris. Testi është përdorur gjithashtu në ekzemplarët klinikë të pacientëve me COVID-19. Testi RT-LAMP për SARS-CoV-2 zbuloi me sukses virusin në të gjitha llojet e mostrave me një kufi të vlerësuar prej vetëm 304 kopjesh virusesh në mostër.
Studiuesit në Universitetin Shtetëror të Ohio janë duke punuar gjithashtu në një mënyrë krejtësisht të ndryshme të testimit: analizues të frymëmarrjes që zbulon viruset në parimin e kontrolluesit policor të alkoolit.
Analiza e frymëmarrjes nuk është një teknikë e përdorur gjerësisht në mjekësi, kështu që ky punim shkencor konsiderohet si eksperiment pionier. Sidoqoftë, autorja dhe drejtuesja e projektit Perena Gouma beson se pajisja mund të përdoret si një alternative për testuesit aktual.
“Ne kemi një aparat frymëmarrjeje që zbulon oksidin nitrik dhe VOC (komponime organike të paqëndrueshme) që mund të përdoren për të marrë informacione në lidhje me shfaqjen e infeksionit”, e shpjegon pajisjen Gouma, dhe thotë se bazohet në teknologjinë e sensorëve të përdorur për monitorimin e shkarkimit të automjetit. Paisja jep rezultate në vetëm 15 sekonda, është e lirë dhe mund të përdoret nga kushdo.
Në vend të sensorëve të sofistikuar, në Britani është duke u përpjekur të zbulohen viruset me ndihmën e qenve të trajnuar.
Qentë e trajnuar mirë mund të nuhasin deri në 750 njerëz në një orë. Ata tashmë janë trajnuar për të zbuluar kancerin, sëmundjen e Parkinsonit dhe malarjen, ndëra tani po përpiqen të zbulojnë nëse qentë mund të nuhasin dhe koronavirusin. Projekti përfshin edhe Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, si dhe Universitetin Durham.
Qentë janë të trajnuar të nuhasin pëlhurën nga pacientët me koronavirus. Kjo do t’u tregojë atyre nëse sëmundja ka erë specifike që qentë mund ta zbulojnë. Nëse rezulton se munden, i gjithë testi do të zgjaste më pak se një sekondë, ndërsa rezultate të tilla të shpejta nuk mund t’i përpunojë as edhe teknologjia më moderne për zbulimin e sëmundjeve.