Shumë fëmijëve u thuhet vazhdimisht se duhet të jenë mirënjohës derisa ata riten. Megjithatë, detyrimi i vazhdueshëm i fëmijëve për të thënë “faleminderit” për gjithçka mund të ketë një efekt negativ tek ata. Psikologu i fëmijëve Xhim Shreder ndan disa këshilla me të cilat në mënyrë shumë të butë mund të nxisim mirënjohjen tek fëmijët.
- Bëhuni shembull
Para së gjithash, kur u mësojmë fëmijëve tanë mirënjohjen, ne duhet të marrim parasysh moshën dhe zhvillimin e tyre, gjë që ndikon në të kuptuarit e tyre për mirënjohjen.
“Para se t’i mësoni fëmijët tuaj se si dhe kur të jenë mirënjohës, ju duhet të ndani momentet tuaja të mirënjohjes (dhe emocionet pozitive që vijnë me ta) në mënyrë që ata të mund ta shohin mirënjohjen në veprim,” shpjegon Shreder.
Nëse fëmijët shohin se sa mirënjohës janë prindërit e tyre për gjithçka, ata do ta praktikojnë këtë.
- Flisni për përvojat pozitive
Përpara se të fillojmë t’u themi fëmijëve tanë të jenë mirënjohës, është e rëndësishme t’i ndihmojmë ata të kuptojnë ndjenjat e tyre të mirënjohjes. Psikologu këshillon se kjo mund të arrihet duke i pyetur se si ndihen për përvojat e tyre pozitive, si për shembull marrja e një dhurate ose ndihma nga dikush.
Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët të mendojnë për faktin se të tjerët kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në gëzimin e tyre, ndaj kjo është një dhuratë që ata duhet t’i kthejnë në një farë mënyre, edhe nëse është thjesht një përqafim ose duke thënë “faleminderit”.
- Keni pritshmëri të arsyeshme
Pritja e shprehjeve të shpeshta të mirënjohjes mund të ketë një efekt negativ te shumë fëmijë. Prandaj, do të ishte më efektive të gjeni mënyra krijuese dhe fleksibël për të inkurajuar mirënjohjen.
“Gjetja e mënyrave krijuese që përputhen me personalitetet ose interesat e fëmijëve tanë (për shembull, një fëmijë mund të dëshirojë të vizatojë një pikturë, ndërsa një tjetër mund të falënderojë duke luajtur piano) mund të rrënjos këtë shprehi”, përfundon Shreder.