Mëlçia është një nga organet më të rëndësishme në trup. Çdo gjë që fusim në organizëm kalon përmes mëlçisë. Aty përpunohet përpara se të shpërndahet nëpër pjesët tjera të trupit. Mëlçia luan role të shumta në proceset fiziologjike të organizmit, që kanë një gamë të gjerë funksionesh. Ekzistojnë disa zakone të këqija që mund të çojnë në dëmtimin e këtij organi vital.
Gjendja në të cilën funksioni i shëndetshëm i mëlçisë rrezikohet, mund të jetë vdekjeprurëse ndaj qenies njerëzore. Për të parandaluar këtë, shmangni këto pesë zakone të këqija, të cilat në një afat të gjatë kohor mund ta dëmtojnë seriozisht këtë organ.
Konsumi i tepruar i alkoolit
Ky zakon i keq është shkaku më i zakonshëm i dëmtimit të mëlçisë. Shumë alkool në organizëm e pakëson aftësinë e mëlçisë për të filtruar toksinat nga trupi. Deri këtu vjen si pasojë e asaj që mëlçia i përdor të gjitha burimet e saj që alkoolin e tepërt në trup ta shëndrojë në një formë më pak toksike. Kjo mund të shkaktojë gjendjen e quajtur mëlçi yndyrore ose të çojë në procese inflamatore në këtë organ të rëndësishëm.
Përdorimi i tepruar i barnave
Konsumi i barnave të ndryshme përtej kufijve të zakonshëm, mund të çojë në hepatit toksik. Dëmtimi mund të variojë nga një gjendje inflamatore e lehtë, deri në dështimin e plotë të mëlçisë.
Pirja e duhanit
Pirja e duhanit është zakon i keq që ka shumë efekte negative mbi shëndetin, përfshirë edhe shëndetin e mëlçisë. Kimikatet helmuese që gjenden në tymin e cigareve dhe që i ngarkojnë mushkëritë, në fund mund të arrijnë edhe tek mëlçia dhe të shkaktojnë stres oksidativ – gjendje në organizëm që ndodh kur radikalet e lira i mbizotërojnë mekanizmat mbrojtjës antioksidues dhe gjatë kësaj mund të sulmojnë qelizat e mëlçisë.
Mungesa e gjumit
Mungesa e gjumit mund të çojë në komplikime të ndryshme shëndetësore, ndërsa hulumtimet shkencore kanë vërtetuar se gjumi jo i mjaftueshëm mund të çojë në stres oksidativ në mëlçi.
Ushqimi i varfër dhe obeziteti
Pesha e tepërt trupore shpesh lidhet me mënyrën e të qëndruarit ulur të jetesës dhe shprehitë e këqija të të ushqyerit, që në një afat të gjatë mund ta dëmtojnë mëlçinë. Konsumi i llojit të gabuar të ushqimit e ngarkon mëlçinë dhe mund të shkaktojë akumulimin e yndyrës në vet organin, gjë që mund të çojë në zhvillimin e sëmundjes së mëlçisë yndyrore jo-alkoolike (NAFLD).