Këto simptoma të kovidit mund të shkaktojnë probleme edhe disa muaj pas infektimit

Infeksioni, i cili shpesh fillon si problem i frymëmarrjes, ndonjëherë lë gjurmë në organe si zemra, veshkat, mushkëritë, madje edhe në lukth.

Efekti i COVID-19 është dobësues në trupin e njeriut. Infeksioni, i cili shpesh fillon si problem i frymëmarrjes, ndonjëherë lë gjurmë në organe si zemra, veshkat, mushkëritë, madje edhe në lukth. Ai vazhdon për javë të tëra, ndërsa te disa, për fat të keq, me muaj dhe vite pasi të ketë kaluar zhvillimi i përshkruar i infeksionit.

Cilat janë simptomat që zgjasin më shumë se vetë infeksioni?

LODHJA

Pothuajse çdo individ që ka pasur infeksionin Covid kalon një fazë të zgjatur të lodhjes. Infeksioni e lodh individin, por ndonjëherë edhe kryerja e detyrave të përditshme duket si problem. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e rendit lodhjen si një nga ndërlikimet kryesore shëndetësore pas infeksionit me Covid.

PROBLEMET NEUROPSIKIATRIKE

Për ndikimin e Covid-it në shëndetin neuropsikiatrik flitet më pak. Megjithatë, simptomat neuropsikiatrike si dhimbja e kokës, çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe pagjumësia shpesh vërehen te pacientët pas shërimit nga infeksioni.

MUSHKËRITË

Komplikime të tilla si inflamacioni i mushkërive janë gjithashtu të zakonshme. Ekspertët nga Instituti Johns Hopkins thonë se Covid mund të shkaktojë pneumoni, ndërsa në rastet më të rënda, sindromën e shqetësimit akut të frymëmarrjes ose ARDS.

Ekspertët thonë se variantet më të reja të koronavirusit gjithashtu mund të shkaktojnë më shumë sëmundje të frymëmarrjes si bronkiti, i cili mund të jetë mjaft i rëndë për të kërkuar shtrimin në spital.

PROBLEME ME TRETJEN

Disa simptoma të kovidit lidhen me sistemin tretës. Simptoma të tilla si dhimbja e barkut dhe humbja e oreksit janë shoqëruar me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.

Duke marrë parasysh numrin e madh të rasteve në të cilat janë vërejtur simptoma të lidhura me lukthin te pacientët me Covid, mund të thuhet se problemet me tretjen janë shpesh shenjë dalluese e sëmundjes.

SKUQJE

Megjithëse shkalla e incidencës është më e ulët, studimet kanë vendosur një lidhje midis skuqjeve të lëkurës dhe Covid-it. Njerëzit me skuqje të pashpjegueshme të lëkurës mund ta konsiderojnë patjetër si shenjë të kovidit.

Llojet e zakonshme të skuqjeve të lëkurës që shihen gjatë infeksionit janë ekzema afër qafës dhe kraharorit, skuqja e gojës, skuqja papulare dhe vezikulare, skuqja purpurike ose vaskuliti, skuqja urtikariale dhe ekzantema virale.