Koronavirusi dhe sëmundjet tjera: Si të silleni nëse keni presion të lartë të gjakut, astmë, jeni duhanpirës…

Askush nuk është rezistent ndaj koronavirusit, por njerëzit që tashmë kanë gjendje më serioze shëndetësore mund të jenë pjesë e grupit në rrezik dhe të shfaqin simptoma serioze.

Supozojmë se jeni të frikësuar nëse i përkisni këtij grupi, kështu që ju sjellim disa këshilla se si të silleni.

KUSH BËN PJESË NË GRUPIN E RREZIKUT?

Për shkak të gjendjeve të caktuara shëndetësore, mund të infektoheni shumë më lehtë nga koronavirusi, i cili shkakton sëmundje të frymëmarrjes. Të rriturit me imunitet të dobët, ata me sëmundje kronike si astma, diabeti dhe sëmundjet e zemrës janë në rrezik.

ÇFARË NESE VUANI NGA ASTMA?

Mbanjeni gjithmonë me vete pompën me ilaçi dhe përdorni atë siç ju është përshkruar nga mjeku, duke zvogëluar kështu mundësinë e një sulmi astme për shkak të virusit të respirator. Nëse astma përkeqësohet, përdorni pompën, mirëpo nëse simptomat përkeqësohen, atëherë telefononi menjëherë mjekun!

A DUHET QË TË GJITHË PERSONAT E MOSHUAR TË VETË-IZOLOHEN?

Këshillë e fundit është se, nuk është nevoja për këtë, mirëpo nëse gjërat nuk ndryshojnë për një afat të shkurtër kohor, ndoshta si në Angli dhe Serbi, autoritetet do të këshillojnë që të qëndrojnë në shtëpi për këdo mbi moshën 70 vjeçare, në mënyrë që të mbrohen. Nëse keni të moshuar në familje, sigurohuni që ta kontrolloni atë çdo ditë përmes telefonit ose mjeteve të tjera të sigurta.

ÇFARË NËSE KENI NDONJË SËMUNDJE KRONIKE?

Njerëzit që vuajnë nga gjendje të caktuara të rënda, të tilla si presioni i lartë i gjakut ose imuniteti i dobësuar, ka më shumë të ngjarë të shfaqin simptoma serioze pas infeksionit koronavirus.

Nëse jeni në grupin e atyre që janë të ndjeshëm ndaj ftohjes dhe gripit, është e rëndësishme të ndërmerrni hapa të caktuar për të zvogëluar rrezikun e infeksionit. Nëse shfaqen simptoma të tilla si kollë ose temperaturë, qëndroni në shtëpi, mirëpo nëse simptomat nuk zhduken edhe pas disa ditësh, telefononi menjëherë Zyrën për raportimin e rasteve të koronavirusit.

ÇFARË NËSE KENI DIABET?

Njerëzit me diabet të tipit 1 ose 2 mund të zhvillojnë simptoma serioze nëse bien në kontakt me koronavirusin. Sipas Dr. Dan Howarth, nga Departamenti i Diabetit në Angli, koronavirusi mund të shkaktojë komplikime te njerëzit me diabet, kështu që nëse keni simptoma të tilla si kollë, temperaturë të lartë ose vështirësi në frymëmarrjen, duhet të monitoroni vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak.

Duhet të qëndroni në shtëpi për disa ditë dhe të merrni rregullisht trajtimin. Mos shkoni në spitale ose farmaci. Sigurisht, nëse simptomat tuaja përkeqësohen, kontaktoni menjëherë kujdesin shëndetësor.

A BËJNË PJESË GRATË SHTATËZËNA NË GRUPIN E RREZIKUT?

Nuk ka asnjë provë që gratë shtatzëna bëjnë pjesë në grupin e rrezikut. Sidoqoftë, ata duhet të marrin të gjitha masat paraprake për të shmangur kontaktin me virusin.

ÇFARË NDODH ME DUHANPIRËSIT?

Sipas Dr. Deborah Arnott, udhëheqëse e Departamentit të Shëndetit Publik në Mbretërinë e Bashkuar, këshillë është që të ndalojnë pirjen e duhanit menjëherë ose të ulin sasinë në mënyrë që të zvogëlojnë shanset për të shfaqur simptoma serioze.

Duhanpirësit mund të zhvillojnë simptoma të rënda dhe janë të ndjeshëm ndaj zhvillimit të sëmundjeve të rënda respiratore. Ajo këshillon që lënia e duhanit është mënyra e shkëlqyeshme për të mbrojtur shëndetin tuaj, ndërsa situata aktuale duhet të jetë motiv shtesë për të gjithë.

RRIKUJTIM: ÇFARË ËSHTË VETË-IZOLIMI?

Nëse keni qenë në vendet ku epidemia është përhapur ose keni qenë në kontakt të ngushtë me një person që është infektuar me koronavirus për 14 ditët e fundit, është shumë e rëndësishme të izoloheni nga të tjerët, madje edhe nëse nuk keni shfaqur simptoma. Nëse personi është në izolim, do të thotë të qëndrojë në shtëpi për 14 ditë, të masë rregullisht temperaturën e trupit dhe të kontaktojë rregullisht mjekët kompetent për të monitoruar gjendjen e tij.