Notari profesionist Emiliano Pescarolo u infektua me koronavirus në mars dhe kaloi 17 ditë në një spital të Xhenova, pas së cilës u lëshua në shtëpi më 10 prill. Tre muaj më vonë, Pescarolo 42-vjeçar ka ende probleme me frymëmarrjen dhe lodhjen.
“Madje edhe pas disa javësh pasi u ktheva në shtëpi, nuk pashë asnjë përparim. Kur shkova për shëtitje, u ndjeva sikur isha ngjitur në malin Everest. Mbeta nga frymë kur fillova të flas. U shqetësova shumë”, theksoi Emiliano Pescarolo për CNN.
Notari italian është vetëm një nga shumë njerëzit që është rikuperuar nga COVID-19 dhe po kurohet për efektet e tij afatgjata në Klinikën e Rehabilitimit të Xhenovas.
Hulumtimet e deritanishme tregojnë se COVID-19 prek shumë organe – mushkëritë, veshkat, mëlçinë, trurin, zemrën, sistemin nervor, lëkurën dhe traktin tretës.
Drejtori i Institutit për Rehabilitimin e Pacientëve që rikuperohen nga COVID-19, Dr. Piero Clavario, thotë se ai ka vizituar rreth 50 pacientë.
“Ne nuk kemi biseduar vetëm me ata që ishin të lidhur me respiratorët, por edhe me ata pacientë që ishin shtruar në spital vetëm për tre ditë. Po eksplorojmë aspekte që testet standarde virologjike dhe pulmonare nuk i adresojnë”, thekson Clavario.
Nga 55 personat e intervistuar nga ekipi i doktor Clavario, tetë nuk kishin nevojë për ndonjë mbështetje shtesë dhe nuk kishin ndjekje të mëtutjeshme, por 50 përqind kishin pasoja psikologjike, ndërsa 15 përqind kishin Sindrom të çrregullimit të stresit post-traumatik.
Një nga surprizat është se dobësia tek pacientët nuk shfaqet vetëm tek ata që kanë pësuar vështirësi më të mëdha me frymëmarrjen, por edhe te të tjerët që nuk shfaqin ndonjë problem kardio apo mushkërit, ndërsa prapë kanë probleme me frymëmarrjen dhe përpjekje më të madhe si ngjitja e shkallëve.
“Te shumica vihet re dobësimi i muskujve. Gjëja pozitive është se pas një periudhe kohe në palestër, pacientët akoma shërohen”, thotë Dr. Clavario.
Mjekët tregojnë se shumë pacientë që janë rikuperuar nga COVID-19 kanë probleme me përqendrimin, ndërsa pasojat afatgjata te disa njerëz mund të jenë aq të pakëndshme sa nuk mund të funksionojnë dhe të jetojnë normalisht.
“Ne kemi pranuar vetëm pacientë me probleme të frymëmarrjes, disa me fibrozë pulmonare, disa me dëmtim të mushkërive dhe madje tek disa te të cilët njëra mushkëri është plotësisht e dëmtuar, por pacientë të tillë janë të paktë. Shumica e pacientëve me pasoja afatgjate nuk kanë simptoma që do t’i mbajnë ata në spital. Ata përjetojnë lodhje, gulçim kronik, palpitacione, rrahje të shpejta të zemrës, probleme me gjumin, dhimbje koke dhe humbje të shpeshtë të përqendrimit”, shpjegon Dr. Paul Vitaler, drejtuesi i Klinikës për Pacientët që rikuperohen nga COVID-19.
“Pacientët më të zakonshëm janë ata nën moshën 60 vjeçare. “Njerëzit e rinj dhe të shëndetshëm duket se kanë shanse më të mira për të përballuar pasojat afatgjata”, thotë Dr. Vitaler, por pranon se nevojiten kërkime të mëtutjeshme.