Shkencëtarët evropianë dhe kanadezë mund të kenë gjetur shpjegimin për shfaqjen e rrallë, por serioze të mpiksjes së gjakut te disa njerëz të vaksinuar me vaksinën AstraZeneka kundër koronavirusit, raporton agjencia britanike Reuters.
Ata besojnë se fenomeni është i ngjashëm me atë që ndodh rrallë me ilaçin “heparin” hollues i gjakut, i njohur si trombocitopeni i induktuar nga heparina (HIT).
Në atë formë të trombocitopenisë, ilaçi stimulon sistemin imunitar për të prodhuar antitrupa që aktivizojnë trombocitet që përndryshe shkaktojnë mpiksjen e gjakut.
Edhe ilaçe tjera përveç heparinës gjithashtu mund të shkaktojnë çrregullime të mpiksjes së gjakut që janë shumë të ngjashme me HIT, dhe shkencëtarët besojnë se në raste të rralla, vaksina AstraZeneka mund të jetë një “shkaktar” i tillë.
Katër njerëz të shëndetshëm më parë që morën vaksinën AstraZeneka zhvilluan mpiksje potencialisht vdekjeprurëse që kishin të njëjtin lloj antitrupash që aktivizojnë trombocitet dhe stimulojnë formimin e mpiksjes në trombocitopeninë e shkaktuar nga heparinat, shkruajtën shkencëtarët gjermanë, austriakë dhe kanadezë në një punim të botuar në Research Square.
Njëzet individë të vaksinuar që nuk zhvilluan mpiksje nuk kishin antitrupa të tillë.
Një koment i botuar me këtë studim thotë se trombocitopenia e shkaktuar nga ilaçet, mund të trajtohet nëse diagnostikohet saktë.
Miliona njerëz kanë marrë vaksinën pa ndonjë problem dhe rregullatorët evropianë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se përfitimet e vaksinës AstraZeneka tejkalojnë rreziqet.