Lëndimet e kokës rrisin rrezikun për dementi

Pacientët me një histori të lëndimeve traumatike të trurit, kanë një rrezik në rritje të zhvillimit të dementisë, madje edhe disa dekada më vonë pas lëndimit

Lëndimet traumatike të trurit të cilat shfaqen pas goditjeve të kokës çojnë në rritjen e rrezikut të zhvillimit të dementisë deri në 24%, u konkludua në bazë të mostrave të rreth tre milionë banorëve.

Të dhënat janë mbledhur për 36 vjet dhe janë marrë nga regjistri shtetëror i pacientëve të Danimarkës. Rreziku i zhvillimit të dementisë rritet varësisht nga numri i lëndimeve dhe ashpërsia e tyre, është raportuar në revistën profesionale “The Lancet Psychiatry”.

“Pacientët me një histori të lëndimeve traumatike të trurit, kanë një rrezik në rritje të zhvillimit të dementisë, madje edhe disa dekada më vonë pas lëndimit”, tha udhëhqësi i studimit Jesse Fan nga Fakulteti i Mjekësisë në Seattle. Kjo vlen edhe për lëndimet më pak serioze, siç është tronditja.

Shkencëtarët theksojnë se rreziku absolut për individin është mjaft i ulët. Në grupin e studimit, 5.3% e njerëzve që vuanin nga dementia kishin pësuar lëndime të rënda të trurit në një moshë më të re, krahasuar me 4.7% të njerëzve që nuk vuanin nga dementia.

“Rezultatet e studimit nuk sugjerojnë se tek të gjithë njerëzit pas një traume të trurit, gjatë jetës do të shfaqet ndonjë lloj dementie,” thotë Fan.

Të gjithë ata që kanë pasur ndonjë lloj lëndimi traumatik të trurit të shkaktuar nga rënia, nga goditjet gjatë arteve marciale, pëleshjeve ose një aksidenti me makinë – u këshillohet të jenë të kujdesshëm, të ushtrojnë, të shmangin pirjen e duhanit, alkoolin dhe ushqimet e yndyrshme

“Është shumë e rëndësishme që personi i cili ka përjetuar diçka të tillë të mos gjendet përsëri në situata të ngjashme. E rëndësishme është që të parandalohen traumat e reja, pasi rreziku për dementi rritet me numrin e lëndimeve traumatike të trurit”, paralajmëron Fan.

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 50 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga një formë e dementisë (përfshirë sëmundjen e Alzheimerit që përfshinë dy të tretat e rasteve).