Diabeti është një nga sëmundjet më masive bashkëkohore, e cili diagnostifikohet lehtë, ndërsa me edukimin e duhur pengohet dhe kontrollohet në masë të madhe. Ky manual është menduar kryesisht për njerëzit me diabet dhe të afërmit e tyre, si dhe për profesionistët mjekësorë të cilët merren me edukimin. Librin e rekomandojmë për studentët, si dhe për mjekët të cilët fillojnë të merren me diabetin, për t’i përvetësuar me mirë njohuritë praktike.
Sëmundja e sheqerit ose Diabetis melitus (Diabetes mellitus) është sëmundje kronike ose mund të themi sëmundje e përjetshme, e karakterizuar nga çrregullimi, kryesisht metabolizmi i karbohidrateve, por edhe i yndyrave dhe proteinave dhe me ndryshime specifike të enëve të gjakut.
Kur duhet të kontrolloni glukozën e gjakut?
Në mëngjes në stomak bosh, dy orë pas drekës, gjatë vaktit kryesor dhe para gjumit. Këto rregulla vlejn vetëm për ato që janë në dietë ose që përdorin tableta. Të sëmurët që përdorin insulinë duhet të kontrollojnë më shpesh glikeminë, veçanërisht nëse vendosen të ashtuquajturën, terapi e intensifikuar e insulinës me marrjen e insulinës para çdo vakti. Kuptoni se cilat ushqime dhe në çfarë sasi ndikojnë në glikeminë tuaj. Matja e glikemisë rekomandohet që të bëhet çdo ditë, deri në gjashtë herë, si garancion për një kontroll të mirë. Grave shtatzëna dhe me diabet, u rekomandohet që të bëjnë të paktën tetë matje në ditë.
Sot konsiderohet e rëndësishme që, glikemia nuk duhet të jetë në nivelin e duhur vetëm gjatë urisë, por edhe pas një vakti (që njihet si glikemia postprandiale), me çka padyshim parandalohen ndërlikimet e enëve të gjakut!
Glikemia e mirë postprandiale, e cila do të lëviz afër vlerave normale, është e vetmja parandales për ndërlikimet diabetike. Vlera më e mirë është nën 8 mmol/l dy orë pas vaktit kryesor (saktësisht: 7,8 mmol/l). Kontrolle të shpeshta duhet të bëni sidomos gjatë:
- Prania e simptomave, si: etje, urinimi, gojë e thatë, molisje, temperaturë trupore;
- Dobësimi;
- Shfaqja ose prania e ndonjë sëmundje tjetër e çfarëdo lloji;
- Përgatitje gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale ose dentare;
- Ndryshimi i terapisë.
Për frekuencën e kontrolleve, si dhe për rëndësinë e tyre, më së mirir është që të konsultoheni me mjekun tuaj.
Çfarë është glikemia postprandiale?
Edhe pse emri është latinisht, ai thjesht do të thotë glukozë pas ngrënies. Gjëja më e rëndësishme që duhet të dini është se, glikemia pas ngrënies nuk duhet të kalojë 7,8 më së shumti deri 8,0 mmol/l dy orë pas ngrënies. Pse është e rëndësishme? Studimet afatgjate kanë zbuluar se nëse vlerat e glukozës në gjak nuk bien nën vlerat e përmendura për dy orë, krijohen ndryshime të përhershme në enët e gjakut, të njohura si toksiciteti i glukozës ose dëmtimi për shkak të sheqerit të lartë. Është vërtetuar se:
- Glikemia postprandiale është faktor i rëndësishëm dhe i pavarur për shfaqjen e komplikimeve të enëve të mëdha (të ashtuquajtura komplikime makrovaskulare). Glikemia postprandiale mendohet të jetë faktor i rëndësishëm rreziku për komplikimet e enëve, sesa glikemia gjatë urisë (DECODE, Baltimore Longitudinal Study).
- Hiperglikemia postprandiale është një nga arsyet më të rëndësishme për rritjen e rrezikut të retinopatisë, si dhe një nga faktorët më të rëndësishëm për verbërinë e parakohshme në diabet.
- Hiperglikemia pas ngrënies, është gjithashtu faktor kryesor në trashjen e arterieve karotide.
- Shpien në rritje të rrezikut të trombozës së të gjitha enëve të gjakut, veçanërisht ato që janë të rëndësisë jetike (truri, zemra)
- Shpien në rritje të rrezikut të shfaqjes së sëmundjeve malinje, sidomos të pankreasit, i cili ka prognozë shumë të dobët, si dhe kancerin e zorrës së trashë dhe të gjirit tek gratë.
- Memoria e përkeqësuar, si dhe përkeqësimi i shqisave të ndjeshmërisë.
Megjithatë, është mjaft e rëndësishme që të matni sheqerin në gjak dy orë pas ngrënies, sidomos pas vakteve kryesore (drekës). Rëndësia praktike e këtyre matjeve përbëhet nga mundësitë e sotme për korrigjimin e vlerave me tableta, e sidomos me insulinë.
Si ndikon glikemia postprandiale e lartë në enët e gjakut?
Mekanizmi është mjaft kompleks. Për ju e rëndësishme është që të dini se sheqeri i lartë i gjakut dëmton shtresën e brendshme më të mirë të enëve të vogla të gjakut. Me çka ata fillimisht bëhen të depërtueshëm, lëshojnë lëngje. Në vendin e dëmtimit grumbullohen trombocitet dhe yndyrat, ku dhe ekziston mundësia e shfaqjes së trombozës, pra, qarkullimi i zvogëluar i enëve të gjakut çon në mbylljen e plotë të enëve dhe pamundësinë e furnizimit të organeve me gjak, si fazë përfundimtare e dëmtimit të enëve të gjakut në diabet. Megjithatë, glikemia e lartë sidomos pas ngrënies, rezulton me trashjene e membranës kryesore të kapilarëve (enët më të vogla të gjakut), e cila është karakteristikë e diabetit si sëmundje. Glikemia e mirë do të thotë edhe enë të mira të gjakut, të cilat janë të rëndësishme për një jetë të mirë dhe të gjatë.