Manual modern për pacientët me Diabetes mellitus: Matni çdo ditë tensionin e gjakut! (11)

Përgjigjet e pyetjeve rreth diabetit, shenjave kryesore të sëmundjes, sheqerit të gjakut ose glikemia, shkaqet e diabetit të tipit 2... ju sjellim përmes edicionit të titulluar Manuali modern i pacientëve me Diabetes mellitus, të Prof. Dr. Milço Bogoev dhe Dr. Ksenija Bogoeva-Kostovska

Diabeti është një nga sëmundjet më masive bashkëkohore, e cili diagnostifikohet lehtë, ndërsa me edukimin e duhur pengohet dhe kontrollohet në masë të madhe. Ky manual është menduar kryesisht për njerëzit me diabet dhe të afërmit e tyre, si dhe për profesionistët mjekësorë të cilët merren me edukimin. Librin e rekomandojmë për studentët, si dhe për mjekët të cilët fillojnë të merren me diabetin, për t’i përvetësuar me mirë njohuritë praktike.  

Dr. Milco Bogoev, internist-endokrinolog
Dr. Ksenija Bogoeva-Kostovska

Sëmundja e sheqerit ose Diabetis melitus (Diabetes mellitus) është sëmundje kronike ose mund të themi sëmundje e përjetshme, e karakterizuar nga çrregullimi, kryesisht metabolizmi i karbohidrateve, por edhe i yndyrave dhe proteinave dhe me ndryshime specifike të enëve të gjakut.

 

Matja e tensionit të gjakut

Matja e tensionit të gjakut bën pjesë në metodat e zakonshme rutinë të vetëkontrollit. Tensioni i gjakut duhet të matet çdo ditë, mundësisht në një kohë të caktuar ose sipas nevojës. Vlerat normale të tensionit të gjakut nuk duhet të tejkalojnë shifrat 130/80 mm. Kushtojini vëmendje të veçantë pozicionimit të manshetës dhe pajisjes, si dhe saktësinë e vetë paisjes. Pajisja herë pas here duhet të kalibrohet në institucione të specializuara.

Nëse tensioni i gjakut shkon nga 130 deri në 140/90 mm, nuk duhet të fillohet menjëherë me terapi, por të ndryshohet mënyra e jetës dhe të ushqyerit. Nëse edhe me regjimin e mënyrës së jetesës dhe të ushqyerit, nuk do të keni sukses në uljen e tensionit, atëherë është i nevojshëm trajtimi.

Në ditët e sotme, barnat për rregullimin e hipertensionit të personave me diabet janë inhibitorët e enzimit konvertues të angiotensinës (ACE inhibitorët).

Ato nuk ndikojnë në glikemi. Kanë shumë pak efekte anësore, por më favorizues është efekti mbi mikroalbuminurinë. Mikroalbuminuria, por madje edhe albuminuria zvogëlohen nga terapia me këto barna. Në këtë mënyrë, përmirësohet ndjeshëm prognoza e veshkave diabetike, si dhe cilësia e jetës.

Grupi tjetër i ri i barnave nga i njëjti varg, ARB (bllokuesit e receptorëve angiotenzinë II) përdoren gjithashtu për të trajtuar tensionin e gjakut tek personat me diabet dhe hipertension. Avantazhi i këtij grupi të ri është se ARB-të nuk shkaktojnë kollitje, e cila tek ACE inhibitorët është e mundshme.

Sot, përdorimi i beta-bllokuesve gjithashtu është një terapi e zgjedhur, sidomos nëse përdoren beta-blllokuesit selektivë. Efekti i tyre në fshehjen e hipoglikemisë ose në vetë glikeminë është i parëndësishëm. E njëjta vlen edhe për agjentët e urinimit. Praktikisht, tek diabeti është i mundshëm përdorimi i gjithë llojeve të agjentëve antihipertensiv.

Ekzaminime shtesë

Përcaktimi i nivelit të insulinës (insulinemia)

Kjo është një metodë shtesë e cila përdoret për të përcaktuar sasinë e vetë insulinës, dmth., rezervat e insulinës që zotëroni. Metoda përdoret vetëm tek ato persona të cilët nuk përdorin insulinë në trajtimin e diabetit. Ka rëndësi relative dhe nuk është një metodë e rastësishme, me fjalë të tjera, nuk ka rëndësi të madhe praktike sepse metoda tjetër përdoret më shumë, dmth:

Përcaktimi i C-peptidit 

C-peptidi përfaqëson vetëm një pjesë të molekulës së insulinës natyrale të njeriut, e cila largohet  gjatë procesit të lirimit të insulinës nga beta-qelizat. Nuk është plotësisht i qartë se cili është roli i këtij zinxhiri aminoacidesh që largohet. Por është e qartë se C-peptidi nuk ndryshon, domethënë, nuk metabolizohet më tej dhe sekretohet në sasi shumë të barabarta (përqendrime), si insulina. Kjo do të thotë se nëse e përcaktojmë nivelin e C-peptidit, do të dimë sa trupi ynë sekreton (ose jo) insulinë. Niveli i C-peptidit mund të shërbejë për të përcaktuar trajtimin, ose thënë ndryshe, nëse duhet të kalojë në terapinë me insulinë dhe kur. Metoda nuk është rutinore dhe ka vetëm domethënie të kufizuar. Nëse ky hormon duhet të përcaktohet, atëherë kjo duhet të vërtetohet vetëm nga specialist diabetologu.

(vazhdon)

http://pzuprofdrbogoev.com/