Manual modern për pacientët me Diabetes mellitus: Aktiviteti fizik dhe sporti (19)

Përgjigjet e pyetjeve rreth diabetit, shenjave kryesore të sëmundjes, sheqerit të gjakut ose glikemia, shkaqet e diabetit të tipit 2... ju sjellim përmes edicionit të titulluar Manuali modern i pacientëve me Diabetes mellitus, të Prof. Dr. Milço Bogoev dhe Dr. Ksenija Bogoeva-Kostovska

Diabeti është një nga sëmundjet më masive bashkëkohore, e cila diagnostifikohet lehtë, ndërsa me edukimin e duhur pengohet dhe kontrollohet në masë të madhe. Ky manual është menduar kryesisht për njerëzit me diabet dhe të afërmit e tyre, si dhe për profesionistët mjekësorë të cilët merren me edukimin. Librin e rekomandojmë për studentët, si dhe për mjekët të cilët fillojnë të merren me diabetin, për t’i përvetësuar me mirë njohuritë praktike. 

Dr. Milco Bogoev, internist-endokrinolog
Dr. Ksenija Bogoeva-Kostovska

Sëmundja e sheqerit ose Diabetis melitus (Diabetes mellitus) është sëmundje kronike ose mund të themi sëmundje e përjetshme, e karakterizuar nga çrregullimi, kryesisht metabolizmi i karbohidrateve, por edhe i yndyrave dhe proteinave dhe me ndryshime specifike të enëve të gjakut.

 

 

Aktiviteti fizik përfshihet në komponentët esencial të mjekimit dhe në veçanti në parandalimin e diabetit. Shumë të rritur shumicën e ditës e shpenzojnë duke qëndruar ulur dhe duke konsumuar ushqim pa kontroll, të cilat janë shkaqet kryesore të shfaqjes së diabetit. Konsiderohet se aktiviteti fizik mund të vonojë shfaqjen e diabetit të tipit 2, sidomos tek personat me rrezik të lartë, si dhe tek personat e mbi ushqyer. Gjithashtu konsiderohet se personat që angazhohen me aktivitet fizik kanë një rrezik prej 40% më të ulët të vdekjes kardiovaskulare në krahasim me ata që janë joaktiv fizikisht. Është e këshillueshme që të angazhoheni me aktivitete fizike dhe sportive, por jo me çdo kusht.

Aktiviteti fizik nuk duhet të jetë shabllon (për të gjithë i njejtë), por duhet të përshkruhet individualisht për çdo person, varësisht nevojave dhe gjendjes së organizmit, siç është mosha dhe sëmundjet shoqëruese.

Aktiviteti fizik ju bën më të lumtur, më të shëndetshëm, por dihet se lëvizja i mbron enët e gjakut.
Aktiviteti fizik i bën qelizat tuaja më të ndjeshme ndaj insulinës, nga çka ulet ndjeshëm nevoja për përdorimin e ilaçeve të diabetit dhe insulinës. Duhet të dihet se efekti i aktivitetit fizik mbi nivelin e sheqerit në gjak nuk është afatgjatë, por vetëm gjatë kohës kur jeni aktiv. Aktiviteti fizik nuk do të thotë se ju jepet mundësia që të hani më shumë, pasiqë humbja e kalorive është e ulët.

Aktiviteti fizik e zvogëlon ose ruan peshën e juaj trupore. Për shembull:

• Gjatë ecjes prej katër deri pesë kilometra, harxhohen 300 kcal;
• Gjatë fjetjes harxhohen 80 kcal;
• Gjatë qëndrimit ulur 100 kcal;
• Gjatë vozitjes 120 kcal;
• Gjatë peshkimit 130 kcal;
• Gjatë qëndrimit 140 kcal;
• Gjatë pastrimit të shtëpisë 180 kcal;
• Gjatë çiklizmit 210 kcal;
• Shëtitje 210 kcal;
• Mirëmbajtja e oborrit 220 kcal;
• Luajtja e golfit 250 kcal;
• Noti 300 kcal;
• Vrapimi 585 kcal.

Duhet të dihet se gjatë kësaj rritet pulsi. Tek femrat pulsi lejohet deri në 209, më i lejueshëm në femra është 209, minus moshën x 0.7, ndërsa tek meshkujt 214, minus moshën x 0.8. Kuptohet, vlerat janë të vlefshme për individët e shëndetshëm.

Aktiviteti fizik e zvogëlon stresin;
Aktiviteti fizik e ul tensionin e gjakut;
Aktiviteti fizik e zvogëlon yndyrën.


Cilat janë efektet e mira të aktivitetit fizik:

• Shfrytëzimi më i mirë i sheqerit në gjak përmes ndjeshmërisë së përmirësuar të qelizës ndaj insulinës;
• Humbja e peshës për shkak të shpenzimit të energjisë;
• Përmirësimi i nivelit të yndyrës, si dhe zvogëlimi i rrezikut të sëmundjeve të sistemit kardiovaskular;

• Përmirësimi i efekteve të barnave, duke zvogëluar dozat e tyre (nëse janë tableta ose të zvogëlohet njësia e insulinës);
• Përmirësimi i gjendjes së muskujve dhe nyjeve, lëvizshmëri më e mirë;
• Cilësia më e mirë e jetës, gjendja shpirtërore më e mirë.

Mund të merreni me të gjitha llojet e sporteve ose me aktivitete të moderuara fizike, por me kujdes, sidomos nëse deri më tani nuk jeni marr me sport ose aktivitete fizike, por vetëm keni shtrënguar butonin e telekomandës së televizorit. Duke marrë parasysh se nuk jeni shumë të ri (por jo edhe shumë të rritur), nuk rekomandohet aktivitet fizik intenziv ose sporti aktiv, sidomos nëse keni komplikime të diabetit në sy, zemër dhe veshka. Në rast të komplikimeve të sëmundjes, përpjekja intenzive fizike do të çojë në lirimin e hormoneve, të cilat do të rrisin ose ulin sheqerin tuaj, për shkak të marrjes intenzive të glukozës në qelizat që janë aktive. Sidomos do të doja të theksoja se gërmimi, notimi në ujë ose sportet e rënda, shumë lehtë mund të çojnë në gjakderdhje në sy ose në shkëputjen e retinës së syve.

Do të doja t’i inkurajoja amviset se puna fizike e shtëpisë, pastrimi i shtëpisë etj. janë aktiviteti fizik më i përshtatshëm dhe më efektiv i rekomanduar nga të gjitha shkollat për aktivitet fizik në diabet.

Mbani mend:

1. Asnjë aktivitet fizik ose sport, nëse keni nivele të larta të sheqerit me paraqitjen e acetonit në urinë;
2. Asnjë aktivitet fizik ose sport, nëse keni temperaturë të lartë trupore, ose thjesht nuk ndjeheni mirë;
3. Para se të angazhoheni me aktivitete fizike, gjithmonë merrni dy deri tre njësi buke të ushqimit, për shkak të rrezikut të hipoglikemisë;
4. Asnjëherë mos u merrni me aktivitet fizik menjëherë pas një vakti, por të paktën një orë pas ngrënies;
5. Aktiviteti fizik nuk është mjet për dobësim.


Gjithmonë pas aktivitetit fizik, kontrolloni glukozën e gjakut, dhe në rast se nuk është në nivelin e duhur, përsëri merrni disa njësi të bukës. Pini mjaftueshëm lëngje, më së miri ujë ose çaj, gjatë dhe pas stërvitjes. Mos u merrni me sport në rast se keni plagë në këmbë. Në moshën e avancuar ose madhore, më e rekomandueshme është shëtitja në ajër të pastër, çiklizmi ose ushtrimet aerobike. Të paktën gjysmë ore shëtitje çdo ditë është e mjaftueshme për shëndetin tuaj. Gjithashtu, edhe noti rekomandohet shumë, por nëse përdorni tableta, sidomos insulinë, asnjëherë mos notoni vetëm për shkak të rrezikut të hipoglikemisë.

Nëse vendosni për ndonjë sport më intenziv apo ndonjë aktivitet tjetër fizik, është e nevojshme që të konsultoheni me diabetologun tuaj, i cili, ndër të tjera, do të kontrollojë zemrën tuaj dhe tensionin e gjakut. Nëse keni pasur probleme me zemrën ose rritje të tensionit të gjakut, para se të filloni të merreni me sport, është mirë të bëni një test të stresit koronar, nën mbikqyrjen dhe kosultimin e një kardiologu.

Megjithëse rekomandimet mbi aktivitetin fizik duhet të jenë individuale, më të rekomanduara janë:

 

• Ecja, me hapa të moderuara;
• Udhëtimi me biçikletë;
• Noti në pishinë dhe ushtrimet aerobike në ujë.

Nëse jeni duke marrë insulinë, nuk rekomandohet që të notoni në distanca të mëdha pa përcjellje.

Sot, rekomandohet lëvizja ose aktiviteti fizik i moderuar në kohëzgjatje prej 30 minutash, të paktën pesë herë në javë ose 90 minuta stërvitje intenzive aerobike në javë. Rekomandohet që, të mos ketë dy ditë, njëra pas tjetrës, pa aktivitet fizik.

(Vazhdon)

http://pzuprofdrbogoev.com/