Manual modern për pacientët me Diabetes mellitus: Ilaçet e juaja – INSULINË (22)

Përgjigjet e pyetjeve rreth diabetit, shenjave kryesore të sëmundjes, sheqerit të gjakut ose glikemia, shkaqet e diabetit të tipit 2... ju sjellim përmes edicionit të titulluar Manuali modern i pacientëve me Diabetes mellitus, të Prof. Dr. Milço Bogoev dhe Dr. Ksenija Bogoeva-Kostovska

Diabeti është një nga sëmundjet më masive bashkëkohore, e cila diagnostifikohet lehtë, ndërsa me edukimin e duhur pengohet dhe kontrollohet në masë të madhe. Ky manual është menduar kryesisht për njerëzit me diabet dhe të afërmit e tyre, si dhe për profesionistët mjekësorë të cilët merren me edukimin. Librin e rekomandojmë për studentët, si dhe për mjekët të cilët fillojnë të merren me diabetin, për t’i përvetësuar me mirë njohuritë praktike.  

Dr. Milco Bogoev, internist-endokrinolog
Dr. Ksenija Bogoeva-Kostovska

Sëmundja e sheqerit ose Diabetis melitus (Diabetes mellitus) është sëmundje kronike ose mund të themi sëmundje e përjetshme, e karakterizuar nga çrregullimi, kryesisht metabolizmi i karbohidrateve, por edhe i yndyrave dhe proteinave dhe me ndryshime specifike të enëve të gjakut.

 

 

Insulina është i vetmi ilaç natyral që përdoret për trajtimin e diabetit. Terapia e insulinës është shumë e vjetër, për më shumë se tetë dekada, ndërsa mjekësia ka përvojë të pasur me insulinën. Në përgatitjen e insulinave, kanë kaluar shumë faza: që nga insulinat e para me origjinë shtazore, e deri tek njerëzit e pastruarimin, deri te analogët e sotëm. Kuptohet që, bota shkon më tej në gjetjen e formave më të favorshme të insulinave, në mënyrë që çdo insulinë të jetë në varësi të nevojave individuale të pacientit. Për fat të keq, dëshira e çdo pacienti është insulina orale, për të cilën ende është e pamundur të flitet, por nuk duhet të humben shpresat.

Indikacione absolute për trajtimin me insulinë:

  1. Diabeti i tipit 1,
  2. Diabeti i tipit autoimun tek të rriturit,
  3. Shtatzënat,
  4. Komplikime akute të diabetit nga lloji metabolik.

Indikacione të tjera për trajtimin me insulinë:

  1. Përgatitja, zhvillimi dhe trajtimi postoperativ tek personat me infeksione të diabetit të çdo lloji si trajtim i përkohshëm (i përhershëm);
  2. Dobësia sekondare e pankreasit, pas llodhjes prej vitesh me terapi antidiabetike orale;
  3. Diabeti i tipit 2 ku ka rënie të peshës trupore;
  4. Diabeti i tipit 2 ku, përveç të gjitha masave, ka hemoglobinë të lartë të glikoziluar (mbi 7%).

Shumica e njerëzve me diabet të tipit 2 kanë kaluar në trajtimin me insulinë pasi kanë përdorur tabletat prej shumë vitesh. Tabletat nuk veprojnë përjetësisht. Shumica e njerëzve me diabet të tipit 2 pas trajtimit me tableta prej disa vitesh (zakonisht gjashtë deri në dhjetë vjet) kërkojnë trajtim me insulinë.

Mbani mend: Çdo diabet përfundon në terapinë me insulinë.

Shumica e hipoglikemive orale, pas shumë vitesh përdorim, shpien në të ashtuquajturën dobësi sekondare (ose defiçit), gjë që rezultat i pamundësisë që nga pankreasi të nxirret më shumë insulinë.


Shenjat kryesore që tregojnë aktivitetin e dobët të tabletave janë:

  • Glikemia e lartë e cila nuk mund të rregullohet edhe pas dhënies së dozës maksimale të ilaçit ose me ndryshimin e ilaçit;
  • Humbja e peshës;
  • Lodhje dhe dobësim i përgjithshëm;
  • Humbja e oreksit;
  • Shfaqja e komplikimeve të sëmundjes: ketoza, ndryshime në retinë, ndryshime në gjymtyrët e poshtme (dhimbje, djegie, skuqje ose plagë);
  • Skuqje dhe kruajtje e organit gjenital e cila përsëritet.

Mbani mend: sa më herët të kaloni në terapinë me insulinë, aq më mirë do t’i mbroni enët e gjakut dhe do t’i shmangni komplikimet e sëmundjes.

Insulina që përdoret tek në është e njëjtë me insulinën natyrale të njeriut, për këtë arsye quhet insulinë humane. Kjo është e rëndësishme të dihet, pasiqë me dhënien e insulinës humane evitohen ndërlikimet e llojit të alergjive ose veprimi i dobët i insulinës për shkak të formimit të antitrupave kundër tij.

Llojet e insulinës sipas kohës së veprimit

Kryesisht ekzistojnë tre lloje të insulinës:

  1. Insulinë me veprim të shkurtër dhe ultra të shkurtër ose e ashtuquajtura insulina kristalore. Emri kristal vjen pasiqë është i pastër si loti. Vepron shpejt pas dhënies (më së shumti pas 20 minutave), ndërsa veprimi zgjat nga katër deri në gjashtë orë. Kjo është e rëndësishme sepse doza e re duhet të jepet pas katër orësh.

Gjithkush që ka diabet duhet të ketë insulinë kristalore. Gjithmonë jepet për ndërlikimet akute të sëmundjes – ketoacidozë dhe koma, si dhe për korrigjimin e glikemisë, kur kjo nuk është e mundur që të arrihet me lloje të tjera të insulinave. Insulina kristalore përdoret gjithmonë në terapinë e intensifikuar të insulinës.

Insulina kristalore ose e shpejtë mund t’i jepet në venë, nënlëkurë dhe muskuj, gjë që është avantazh i madh i këtij lloji të insulinës për raste emergjente.

2. Insulina me veprim të mesëm – NPH. Vepron për rreth 12 orë. Merret dy herë në ditë.

3. Insulina të përziera – përbëjnë preparate të gatshme për përdorimin e insulinës me efekt të shkurtër dhe të mesëm. Në varësi të përmbajtjes së insulinës kristalore, përzierjet mund të variojnë nga 10 në 50%. Zakonisht jepen dy herë në ditë. Jepen vetëm nën lëkurë.

4. Insulinë me efekt të gjatë, që veprojnë për 24 orë. Ato zakonisht jepen një herë në ditë, më së miri para gjumit. Nëse është e nevojshme, mund të jepen edhe dy herë në ditë. Ato mund të kombinohen me insulinë me veprim të shkurtër. Jepen vetëm nën lëkurë.

5. Insulinat me ultra-efekt të gjatë veprojnë për më shumë se 42 orë.


Mënyra e dhënies së insulinës

Insulina jepet nën lëkurë me gjilpëra të vogla, të cilat tani janë rreth ose nën 1 cm. Vendet e dhënies në lëkurë janë:

  • Pjesët e jashtme të parakrahëve;
  • Pjesët e jashtme të kofshëve;
  • Në shpinë midis shpatullave dhe
  • Në stomak nën kërthizë.

Insulina kristalore mund të jepet edhe në venë, por vetëm në mjediset spitalore.

Sot insulina paketohet në të ashtuquajturin stilolaps, ku me lëvizjen e kapakut, lexohet numri i njësive që duhet të injektohen.


MBANI MEND:

Nuk ekzistojnë dy njerëz me të njëjtën dozë insuline (njësi).

Nuk ekziston rregull ose skemë për dozimin e insulinës.

Paralajmërime të përgjithshme rreth marrjes së insulinës.

  • Shihni datën që është shënuar në shishe ose stilolaps;
  • Insulina duhet të ruhet në frigorifer (në frigoriferin ku ruhet ushqimi për përdorim të përditshëm);
  • Para përdorimit të përzihet insulina që është mat;
  • Mos e ndryshoni llojin e insulinës pa u konsultuar me mjekun;
  • Mos e ndryshoni firmën, nëse nuk ekziston alergjia ndaj insulinës (gjë që është jashtëzakonisht e rrallë);
  • Nuk ka garanci se glikemia do të përmirësohet me rritjen e dozave.

Efektet anësore të insulinës

Insulina është ilaç i fuqishëm që ka këto efekte anësore:

  • Hipoglikeminë;
  • Shtimin në peshë;
  • Rritja e tensionit të gjakut;
  • Rregullimi i dobët dhe glikemi e lartë (nëse nuk merret në mënyrën e duhur);
  • Alergjitë. Janë jashtëzakonisht të rralla;
  • Skuqje lokale dhe kruajtje në vendin e injektimit;
  • Rezistenca ndaj insulinës.

Hipoglikemitë e insulinës

Ato janë ndërlikimet më të shpeshta të terapisë së insulinës. Shkaqet më të zakonshme janë mbidoza ose marrja jo e mjaftueshme e ushqimit. Hipoglikemitë e insulinës trajtohen, njejtë edhe hipoglikemitë e shkaktuara nga hipoglikemitë orale.


Llojet e terapisë me insulinë

Ekzistojnë tre lloje të terapisë së insulinës:

  • Terapi standarde ose konvencionale në të cilën merren dy deri tre doza ditore të insulinës, zakonisht me përdorimin e një diete standarde.
  • Terapia intensive në të cilën insulina kristalore merret para çdo vakti, ndërsa insulina me veprim të mesëm para gjumit. Sot kjo terapi konsiderohet më e mira tek njerëzit që nuk arrijnë rregullim të mirë dhe tek ata që nuk duan t’i përmbahen dietës standarde. Në terapinë intenzive, ekziston një liri e madhe e të ushqyerit dhe lëvizjes, dhe paraqet mënyrën më të mirë për trajtimin e diabetit. Parakushtet janë: niveli intelektual i lartë i pacientëve, edukimi dhe posedimi i një aparati matës për sheqerin në shtëpi.
  • Terapia e kombinuar në të cilën insulina kombinohet me tableta. Këtë terapi nuk e zbatoojnë të gjitha shkollat e diabetit dhe është subjekt i shumë kritikave.

(vazhdon)

http://pzuprofdrbogoev.com/