Diabeti është një nga sëmundjet më masive bashkëkohore, e cila diagnostifikohet lehtë, ndërsa me edukimin e duhur pengohet dhe kontrollohet në masë të madhe. Ky manual është menduar kryesisht për njerëzit me diabet dhe të afërmit e tyre, si dhe për profesionistët mjekësorë të cilët merren me edukimin. Librin e rekomandojmë për studentët, si dhe për mjekët të cilët fillojnë të merren me diabetin, për t’i përvetësuar me mirë njohuritë praktike.
Sëmundja e sheqerit ose Diabetis melitus (Diabetes mellitus) është sëmundje kronike ose mund të themi sëmundje e përjetshme, e karakterizuar nga çrregullimi, kryesisht metabolizmi i karbohidrateve, por edhe i yndyrave dhe proteinave dhe me ndryshime specifike të enëve të gjakut.
Analogët e insulinës
Analogët e insulinës janë lloje të reja të insulinës të cilat fitohen me zhvendosjen e njërit nga të dy zinxhirët e insulinës, domethënë duke ndryshuar vendet e aminoacideve të cilat bëjnë pjesë në përbërjen e insulinës njerëzore. Në këtë mënyrë, fitohen forma krejtësisht të reja të insulinës të cilat kanë efekte të ndryshme, më të mira sesa insulina normale e njeriut. Sigurisht që numri i komplikimeve të mundshme të këtyre insulinave është teorikisht i pafund, siç është për shembull, kombinimi i numrave. Deri më sot njihen shumë lloje të këtyre insulinave, të cilat tashmë përdoren edhe në praktikë. Të gjithë analogët e insulinës mund të ndahen në tri grupe:
- Analogët e insulinës me veprim të shkurtër. Veprimi i tyre është më i shkurtër se veprimi i insulinave humane me veprim të shkurtër. Veprimi është i fortë dhe i jep më pak hipoglikemi.
- Analogët e përzier të insulinës që janë analoge në përzierjet ekzistuese.
- Analogët me veprim të gjatë. Këto janë lloje të reja të analogëve që kanë veprimet e kërkuara, siç është për shembull, dekompozimi i vazhdueshëm, i dobët ose i ngadaltë gjatë gjithë ditës.
Përfitimet e analogëve
Analogët e insulinës kanë avantazhet e mëposhtme mbi insulinat standarde të njeriut:
- Veprim më të shkurtër dhe më të fortë;
- Më pak hipoglikemi, sidomos gjatë natës;
- Glikemi më të mirë;
- Nuk është i nevojshëm injektimi i tyre 20 deri në 30 minuta para ushqimit, por mund të jepet menjëherë para ushqimit, gjatë ushqimit si dhe eventualisht pas ushqimit;
- Ata gjithashtu kanë edhe avantazh të veçantë pasiqë nuk e rrisin peshën trupore dhe rallë herë kanë hipoglikemi. Është veçanërisht e rëndësishme se ato nuk shkaktojnë hipoglikemi gjatë natës, gjë që është makth për pacientët.
Mijëvjeçari i ri është epoka e analogëve të insulinës. Analogët do të zëvendësojnë insulinat standarde humane.
Insulinë inhaluese
Insulina që thithet (inhalohet). Në botë, vitet e fundit në përdorim ishte insulina inhaluese e cila thithet në formën e sprejit nëpërmjet gojës. Veprimi i tij ishte i kufizuar në insulinë me veprim të shkurtër, dmth., një lloj insuline kristalore e cila thithej para ushqimit, në vend se të injektoheshin format e insulinës me veprim të shkurtër. Megjithëse kishte rezultate të mira, për shkak të kostos së lartë dhe efekteve anësore, insulina inhaluese u tërhoq nga përdorimi.
Pompat e insulinës
Ato përdoren në shumë vende të botës. Pompa është një pajisje e vogël e cila mbahet në stomak ose rreth belit. Pompa ka dy pjesë: njëra është shiringë në të cilën vendoset insulinë kristalore ose analoge. Pjesa tjetër është pompë e cila sipas një programi të caktuar, injekton sasi të caktuar të insulinës (njësi) në indet nënlëkuror nëpërmjet një tubi të posaçëm. Pompa e insulinës injekton dy lloje dozash. Njëra dozë injektohet vazhdimisht, pa ndërprerje, brenda 24 orëve dhe quhet doza bazë e insulinës.
Dozat tjera injektohen në mënyrë plotësuese, para ngrënies, varësisht nga vaktet, ndërsa vetë pacienti e shtyp butonin e pompës. Pompat nuk u rekomandohen të gjithëve. Vetë pacienti duhet të jetë shumë i motivuar dhe të trajnohet në mënyrë të detajuar për përdorimin e pompës, për të cilën ai duhet të ndjekë kurse të specializuara. Megjithatë, kostoja e pompave, si dhe materialet harxhuese – tubat, është ende shumë e lartë. Treguesi më i mirë i pompave të insulinës është diabeti i tipit 1, gratë shtatzëna me diabet, si dhe të rriturit të cilët kanë dëshirën dhe mundësitë për pompën. Sidoqoftë, popullsia më mirënjohëse janë fëmijët. Llojet e pompave të insulinës shtohen çdo ditë, varësisht nga zhvillimi i teknologjisë elektronike dhe janë më të përsosura, të pajisur me alarme, si dhe sensorë për glikeminë.
Transplantimi i pankreasit
Kryhet në disa qendra në mbarë botën, zakonisht tek pacientët te të cilët duhet të bëhet edhe transplantimi i veshkave. Qelizat ose pjesët e pankreasit merren nga një trup tjetër. Për fat të keq, mbijetesa e pankreasit të transplantuar është shumë e dobët, ndërsa kostoja shumë e lartë. Gjegjësisht, mbijetesa e gjëndrës së transplantuar zgjat nga disa javë në një vit, ndërsa pacienti gjatë kësaj kohe merr terapi të posaçme imunosupresive.
Transplantimi i qelizave staminale
Në organizëm ekzistojnë qelizat të cilat nuk janë mjaftueshëm të përcaktuara për të kryer funksione të specializuara dhe quhen qeliza staminale ose burimore. Qelizat e tilla gjenden në palcën e eshtrave, në mëlçi, madje edhe në kanalet e pankreasit dhe në pjesë të tjera. Me ndihmën e mjediseve të veçanta ku këto qeliza do të rriten të ndara nga mjedisi, mund të ndodh që të sekretojnë insulinë. Sipas udhëzimeve të tilla, qelizat që do të merren edhe nga embrioni i pulës, do të mund të injektohet tek individët me diabet dhe do lto të sekretojnë insulinë. Megjithëse metoda jep shumë shpresa, akoma nuk ka rezultate konkrete.
Glucagon like peptide-1 (GLP-1) dhe analogët e tij
Ky është hormon, i cili sipas strukturës është i ngjashëm me glukagonin dhe sekretohet në zorrët e njeriut. Ka shumë efekte mbi metabolizmin e glukozës. Zvogëlon glikeminë, krijon ndjenjën e ngopjes, i ruan qelizat beta dhe ndihmon në mirëmbajtjen, madje edhe shumëfishimin e tyre. Vepron në mënyrë stabilizuese mbi sheqerin në gjak. Problemi qëndron në atë se zbërthehet shpejt në zorrët e enzimës tashmë të përmendur DPP-4, në vetëm disa minuta. Për këtë shkak sintetizohen analogët e tij, si dhe në insulinë. Analogët nuk i nënshtrohen zbërthimit nga ana e enzimave.
Produkti është komercialisht i disponueshëm dhe ka efekte të mira, megjithëse në disa pacientë mund të shkaktojë vështirësi abdominale dhe pankreatitin. Jepet vetëm tek diabeti i tipit 2 në formën e injeksioneve nënlëkurore.
Amylin / analog
Amylin është hormon i cili sekretohet nga beta qelizat paralelisht me insulinën. Ai ka disa efekte, si: ngadalëson zbrazjen e lukthit, redukton sekretimin e glukagonit, si dhe redukton oreksi, duke krijuar kështu ndjenjën e ngopjes. Ai gjithashtu përdoret si amylin dhe si analog i tij. Indikacionet janë vetëm për diabetin e tipit 2.
(vazhdon)