Dje, Organizata Botërore e Shëndetit tha që të gjithë personat që kanë qenë në kontakt me një person të infektuar me COVID-19 duhet të testohen, pavarësisht nëse shfaqin simptoma.
Ky është rekomandimi i ekspertëve të OBSH-së, të cilët u pyetën në një konferencë për shtyp në lidhje me situatën në Shtetet e Bashkuara, ku epidemiologët vlerësuan se testet nuk janë të nevojshme për ata që nuk kanë simptoma të sëmundjes.
Në këtë temë, epidemiologia e OBSH-së Maria Van Kerhov nuk komentoi situatën në Shtetet e Bashkuara, por rekomandoi që, nëse është e mundur, “të gjitha kontaktet të testohen, pavarësisht nga zhvillimi i simptomave”.
“Ne e dimë që njerëzit që kanë simptoma e transmetojnë virusin, por e dimë edhe se njerëzit që nuk kanë simptoma mund të transmetojnë virusin,” tha ajo.
Ajo theksoi rëndësinë e testeve, të cilat duhet të përdoren për të identifikuar rastet aktive dhe izolimin e tyre dhe informimin e kontakteve të tyre.
Ndryshimi në udhëzimet amerikane për testimin u njoftua të hënën në faqen e saj të internetit nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.