MJEKËT KËSHILLOJNË: Si mund të përgatiteni për valën e dytë të koronavirusit?

Vala e dytë e epidemisë së koronavirusit të ri është temë që gjithnjë e më shumë po diskutohet dhe debatohet, si në botë, ashtu edhe në vendin tonë.

Akoma ka shumë dilema për koronavirusin: nuk dihet nëse virusi është dobësuar, nëse ata që janë shëruar prej tij, pra prej COVID-19 janë të mbrojtur apo jo, nëse virusi do të ketë mutacion, sa dominues është në vendin tonë, si dhe sa dominues është në vendet tjera të botës…

Pyetja që na intereson të gjithëve është se kur dhe çfarë do të ndodhë me virusin.

Duke pasur parasysh mungesën e vaksinës, masat parandaluese janë thelbësore për mbajtjen nën kontroll të epidemisë, dhe shpresojmë se të gjithë i kemi mësuar mirë këto masa.

Mendimet për një valë të mundshme të koronavirusit mund të jenë shumë stresuese, por është e rëndësishme të përqendroheni në atë që është nën kontrollin tuaj tani, shpjegon mjeku Nasia Safdar, specialist i sëmundjes infektive në UW Hospital and Clinics.

Ja disa udhëzime nga mjekët se si të përgatiteni për një valë të dytë të mundshme të koronavirusit.

  • PRANOJENI SI TË ISHTE NORMALE

COVID-19 akoma nuk ka kaluar, paralajmërojnë mjekët. Ata këshillojnë të mos shikoni dhe mos prisni që “gjithçka të kthehet në normalitet”, por ta pranoni këtë situatë si një normë të re për të ardhmen e parashikueshme, ndërsa kjo nënkupton edhe distancimin shoqëror. Në rrethana normale bën pjesë edhe puna nga shtëpia, puna e rregulluar në restorante dhe kafene, mbajtja e maskës në hapësira ​​të mbyllura publike…

  • VAKSINOHUNI KUNDËR GRIPIT

Vaksina kundër gripit nuk do t’ju mbrojë nga koronavirusi, por do të zvogëlojë rrezikun e mundshëm të shtrimit në spital për shkak të simptomave shoqëruese të gripit. Shikoni këtë si fakt që ju nuk do të zini vend në spital që dikush tjetër mund të ketë nevojë, shpjegon Dr. Jay Warkey, infektolog në Emory University Hospital.

  • GJENI MËNYRA TË REJA PËR T’U PËRSHËNDETUR

Mund të tingëllojë qesharake, por mjeku Warkey paralajmëron se duhet të gjejmë mënyra të reja për të përshëndetur njerëzit e tjerë. Shumë njerëz u mungon shtrëngimi i duarve dhe përqafimi miqësor, por tani është momenti ideal të mendoni diçka jo të zakonshme, ose thjesht të përpiqesh të shmangesh të tjerët.

  • BËNI GJITHÇKA ASHTU SIÇ KENI MËSUAR MUAJT E FUNDIT 

Ndoshta deri më tani jeni bërë profesionist në larjen e duarve, si dhe në shmangien e prekjes së fytyrës, por edhe vendosjen e maskës në fytyrë në mënyrën e duhur para se të dilni jashtë, si dhe distancimin shoqëror… nëse vjen deri te vala e dytë e koronavirusit, është jashtëzakonisht e rëndësishme të ndiqni udhëzimet e Komisionit për sëmundje infektive dhe institucionet e tjera përkatëse, dmth jini të udhëzuar dhe të informuar.