MJEKËT SHPJEGOJNË DHE ALARMOJNË TË BËNI KUJDES NDAJ SIMPTOMAVE: Adenovirusi është shkaku i rritjes së numrit të fëmijëve me hepatit

Lloji i pashpjegueshëm i hepatitit është vërejtur te fëmijët nga një muaj deri në 16 vjeç, por shumica e rasteve janë regjistruar tek fëmijët nën 10 vjeç, veçanërisht tek ata nën pesë vjeç. Është e rëndësishme të theksohet se shumica e fëmijëve më parë ishin të shëndetshëm.

Javët e fundit, 169 fëmijë në 11 vende të botës janë diagnostikuar me një lloj të panjohur shqetësues të hepatitit akut (inflamacion i mëlçisë), ndërsa të paktën një fëmijë ka vdekur nga pasojat e sëmundjes misterioze, sipas OBSH-së.

JA ÇFARË DIHET DERI TANI

  • Ku janë zbuluar rastet?

“Pesë rastet e para u vunë re nga mjekët më 31 mars në Skoci, të cilët kuptuan se ishte e pazakontë”, tha Mera Chand, drejtor i Njësisë së shëndetit dhe infeksione të reja në Agjencinë e shëndetit dhe sigurisë në Bitaninë e Madhe.

“Asnjë nga pesë viruset e njohura të hepatitit – A, B, C, D dhe E – nuk është regjistruar te fëmijët e infektuar,” tha Dr. Chand dje gjatë një prezantimi urgjent në Kongresin Evropian për mikrobiologjinë klinike dhe sëmundjet infektive.

Britania e Madhe që atëherë ka raportuar gjithsej 114 raste, tha OBSH në një përditësim.

Numri tjetër më i madh i rasteve – 13, u regjistrua në Spanjë, i ndjekur nga Izraeli me 12 raste dhe Shtetet e Bashkuara me nëntë, ndërsa një numër më i vogël u regjistrua në Danimarkë, Irlandë, Holandë, Itali, Norvegji, Francë, Rumani dhe Belgjikë.

  • Kush preket nga ky infeksion?

Lloji i pashpjegueshëm i hepatitit vërehet te fëmijët nga një muaj deri në 16 vjeç, por shumica e rasteve regjistrohen tek fëmijët nën 10 vjeç, veçanërisht tek ata nën pesë vjeç. Është e rëndësishme të theksohet se shumica e fëmijëve më parë ishin të shëndetshëm.

Simptoma të tilla si verdhëza, diarre, të vjella dhe dhimbje barku u shfaqën përpara se fëmijët të shfaqnin shenja të hepatitit të rëndë. 

“Problemi më i madh është ashpërsia e llojit”, theksoi Dr. Maria Buti, patologe nga Barcelona dhe presidente e Shoqatës evropiane për studimin e mëlçisë (EASL).

Shtatëmbëdhjetë fëmijë ose 10 për qind e 169 rasteve të identifikuara, kishin hepatit aq të rëndë sa kishin nevojë për transplantim të mëlçisë, shtoi Dr. Buti.

Aikaterini Mugu, specialiste e rezistencës antimikrobike në Qendrën evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve (ECDC), konfirmoi se rastet e raportuara ishin “me të vërtetë shumë shqetësuese”.

Nuk dihet nëse fëmijët e tjerë që kishin një formë më të lehtë të sëmundjes ishin të infektuar, thjesht sepse simptomat nuk mund të gjurmoheshin, shtoi Mugu.

“Duke qenë se nuk e dimë shkakun, nuk dimë as rrugën e transmetimit, as si të parandalojmë infeksionin dhe si ta trajtojmë sëmundjen”, tha Dr Mugu. 

  • Çfarë përjashtuan mjekët dhe shkencëtarët?

Hepatiti është inflamacion i mëlçisë dhe në përgjithësi është i rrallë te fëmijët e shëndetshëm. Sipas ekspertëve, nuk duket të ketë ndonjë ekspozim rutinë që do të lidhte pacientët, ndërsa OBSH ka përjashtuar udhëtimin ndërkombëtar si lidhje dhe faktor potencial në sëmundje.

Dr. Chand thotë se sëmundja nuk mund të lidhet me paracetamolin, i cili në rast mbidozimi mund të shkaktojë dështim të mëlçisë.

Studiuesit përjashtuan gjithashtu çdo lidhje midis sëmundjes dhe vaksinave të COVID-19, pasi shumica e fëmijëve nuk ishin mjaft të rritur për të marrë vaksinën.

  • Cila është hipoteza kryesore?

Adenoviruset – viruse të zakonshme që shkaktojnë një sërë sëmundjesh si ftohja, bronkiti dhe diarreja, por në përgjithësi nuk rezultojnë në sëmundje të rënda, janë zbuluar në 74 raste, tha OBSH.

Dr. Chand thotë se adenovirusi është gjetur në 75 për qind të pacientëve në Britaninë e Madhe.

Ajo parashtroi gjithashtu “hipotezën kryesore”, që është kombinim i adenovirusit të zakonshëm dhe një faktori tjetër që e bën sëmundjen më të rëndë.

Një mundësi, thonë ekspertët, është që fëmijët shumë të vegjël në “vitet e tyre të formimit” për shkak të masave pandemike, si mbajtja e maskave dhe karantina e përsëritur, nuk kanë zhvilluar imunitet ndaj këtyre adenoviruseve në dy vitet e fundit dhe nuk janë ekspozuar ndaj viruseve infektuese të zakonshme.

Një “rritje e papritur” në numrin e rasteve të adenovirusit është raportuar kohët e fundit në disa vende të tjera, duke përfshirë Irlandën dhe Holandën, tha OBSH.

Një tjetër shkak i mundshëm i llojit të panjohur të hepatitit mund të jetë kombinimi i adenovirusit dhe COVID-19 ose lidhja me një infeksion të mëparshëm me COVID-19, tha Dr. Chand.

Nëntëmbëdhjetë nga 169 fëmijët e infektuar me llojin e pazakontë të hepatitit kishin gjithashtu COVID-19 dhe adenovirus, ndërsa 20 prej tyre kishin vetëm COVID-19.

Të gjithë ekspertët theksojnë se duhen më shumë kërkime për më shumë kohë, por Dr. Buti beson se rezultatet mund të priten brenda një muaji.

  • Çfarë mund të ndërmeret?

Dr. Buti thotë se, duke qenë se adenovirusi është sëmundje ngjitëse, masat e marra për shkak të COVID-19 janë efektive edhe kundër tij.

Bëhet fjalë për ruajtjen e higjienës personale, veçanërisht larjen e rregullt të duarve. Ajo u bëri thirrje mjekëve që gjatë ekzaminimit t’u kushtojnë vëmendje shenjave të verdhëzës.