Heqja e këpucëve mund të jetë e lodhshme, veçanërisht nëse kemi hyrë në shtëpi vetëm për të marrë diçka ose kemi shkuar diku kalimthi, por duhet të dini se heqja e këpucëve duhet të praktikohet gjithund – si në shtëpi si dhe kur shkoni mysafir! Shkencëtarët pohojnë se ecja nëpër shtëpi me këpucët që i mbathim jashtë është një nga zakonet më të pista që një person mund ta ketë dhe një nga zakonet nga i cili mund të sëmureni seriozisht. Hulumtimet tregojnë se mesatarisht një palë këpucë në vete mbartin 421 baktere, përfshirë edhe bakteren Escherichia coli, e cila mund të ndikoj në shkatërrimin e sistemit të tretjes.
Kushedi sa të bëni kujdes se ku ecni, rrugët dhe sipërfaqet publike janë plot me pluhur, në të cilën kjo dhe shumë baktere të tjera shumohen. Të ecurit nëpër gjethe dhe mbeturina të tjera vetëm se i ushqen ato dhe zgjat jetëgjatësinë e tyre.
Për fat të keq, këto gjëra nuk mund të shmangen kur jeni në lëvizje, por mund ta parandaloni bartjen e tyre në shtëpi. Më shumë se 90 përqind e baktereve që mblidhen në pjesën e poshtme të këpucëve hyjnë në shtëpinë tone me këpucët tona të preferuara, dhe kur një herë të “vijnë” mysafirë, mund të qëndrojnë me ditë të tëra në shtëpi.
Përveç baktereve të dëmshme, ne bartim edhe toksina kancerogjene nga asfalti, të cilat pastaj përhapen në formë e pluhurit në të gjithë shtëpinë. Shumica e këtyre baktereve dhe papastërtive largohen nga këpucët duke i larë me sapun, por mënyra më e thjeshtë për t’u mbrojtur është që të hiqni këpucët dhe në shtëpi të ecni këmbëzbathur ose me pantofla të rehatshme dhe ta kaloni të qetë pjesën e ngelur të ditë.