Sistemi i fortë imunitar, është çelësi i një jete të shëndetshme. Fëmijët kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe një rutinë të duhur shëndetësore për të qëndruar të shëndetshëm. Prindërit janë gjithmonë të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre dhe bëjnë gjithçka për t’i mbrojtur ata nga sëmundjet e mundshme. Ndonjëherë fëmijët përballen me problemin e imunitetit të dobët, gjë që i bën ata të ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe ja cilat janë shenjat që mund të tregojnë se fëmija juaj ka një sistem të dobësuar imunitar.
Është i prirur ndaj të ftohurave
Nëse fëmija juaj shpesh ka ftohje dhe kjo zgjat për një kohë, arsyeja mund të jetë ajo që, antitrupat e tij janë shumë të dobët për të luftuar sëmundjen. Siç shpjegojnë mjekët pediatër, ftohjet e rregullta shpesh nënkuptojnë se imuniteti i fëmijës është i dobët dhe për shkak të kësaj ai shpesh sëmuret.
Ai ka jashtëqitje të çrregullta dhe ka shumë probleme me tretjen
Pjesa më e madhe e sistemit imunitar ndodhet në traktin tretës dhe nëse aty shfaqen probleme, atëherë sistemi imunitar vuan. Gjegjësisht, diarreja ndodh zakonisht kur dikush ka një sistem të dobët imunitar, dhe problemet me gazrat dhe kapsllëkun janë gjithashtu pasojë e imunitetit të dobët.
Mungesa e energjisë
Çdo ndryshim në nivelin e energjisë tek fëmija juaj mund të jetë një shenjë e imunitetit të dobët, veçanërisht nëse fëmija juaj është shumë lëvizshëm dhe aktiv. Kur një fëmijë nuk ka energji si zakonisht, arsyeja më e zakonshme për këtë mund të jetë një sistem imunitar i dobësuar që e pengon atë të kryejë aktivitetet e përditshme si më parë.
Plagët shërohen më ngadalë
Fëmijët shpesh lëndohen gjatë lojës. Megjithatë, kur lëndimet e tyre kërkojnë shumë më shumë kohë për t’u shëruar, kjo mund të jetë për shkak të një sistemi të dobët imunitar. Plagët që kërkojnë më shumë kohë për t’u shëruar gjithashtu mund të çojnë në shumë infeksione që mund të përkeqësohen nëse fëmija ka një sistem të dobësuar imunitar. Siç theksojnë mjekët pediatër, tek fëmijët me imunitet të dobët, lëkura nuk arrin të rigjenerohet vetë dhe plaga përkeqësohet me kalimin e kohës.
Përktheu dhe përshtati:S.N