Për një jetë të shëndetshme i nevojshëm është zhvillimi i duhur që nga fëmijëria e hershme. I domosdoshëm është ushqimi i përshtatshëm, kujdesi, aktiviteti fizik dhe mirëmbajtja e higjienës personale. Fëmijëria e hershme është periudha e rritjes dhe zhvillimit intenziv, por gjithashtu edhe periudha më e ndjeshme e jetës së njeriut. Duke pasur parasysh ndryshimet e rëndësishme në ndërtimin dhe funksionimin e organeve, dështimi për të siguruar materiet ushqyese të mjaftueshëm në periudhën e fëmijërisë, mund të shpie në efekte anësore në rritjen dhe zhvillimin. Pikërisht për këtë arsye ushqimi cilësor në këtë periudhë zë vendin qendror.
Ushqimi i shëndetshëm dhe i ekuilibruar nënkupton përdorimin e produkteve ushqimore që mund të plotësojnë nevojat energjetike të organizmit të fëmijës, të sigurojnë rritje dhe zhvillim harmonik, si dhe ndërtimin e imunitetit të fëmijës dhe mbrojtjen nga sëmundjet.
Periudha parashkollore është vendimtare për ndërtimin e shprehive të shëndetshme, ndërsa përmes edukimit dhe aplikimit të të ushqyerit të ekuilibruar, organizmin mund ta fusim në një stil të shëndetshëm jetese dhe në këtë mënyrë të minimizojmë rrezik faktorët ndaj sëmundjeve më vonë gjatë jetës!
Në këtë pjesë, gjëja më e rëndësishme është funksioni i prindërve, të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm se me shembullin e tyre personal janë faktor kyç në formimin e individëve të shëndetshëm. Hapi i parë në këtë drejtim është që fëmijët në moshën parashkollore të njihen me piramidën e ushqimit të duhur dhe të fitojnë zakone për ushqime të shëndetshme. Fëmijët duhet të marrin tri vakte kryesore dhe 1-3 meze gjatë ditës, në varësi të moshës, aktivitetit dhe oreksit të fëmijës.
Sigurimi i ushqimeve të ndryshme, të balancuara dhe biologjikisht të vlefshme, nënkupton futjen e përditshme të:
- Drithëra dhe produktet nga drithi (bukë, oriz, makarona, drithëra) dhe patate;
- Fruta dhe perime;
- Qumështi dhe produktet e qumështit;
- Mish, peshk, vezë dhe bishtajore (fasule, thjerrëza, boranie, bizele).
Përveç kësaj, drithërat përbëjnë bazën e të ushqyerit, pasiqë ato sigurojnë energji për të kryer të gjitha funksionet e rritjes dhe zhvillimit të organizmit të fëmijës. Drithërat dhe / ose patatet duhet të konsumohen 3-4 herë në ditë dhe duhet të synojnë që të paktën 50% e futjes së tyre të jenë produkte nga drithërat integrale.
- Fëmijët çdo ditë duhet të hanë shumëllojshmëri të perimeve sezonale (trangull, karrota, lakër, domate, speca, etj.) dhe fruta (banane, limon, portokall, mollë, vishnje, rrush) më së miri në gjendje të papërpunuar në sasi prej 300-400 gram. Perimet dhe frutat përmbajnë mjaftë vitamina, minerale dhe komponente bioaktive të rëndësishme për shëndetin, si dhe janë burimi kryesor i vitaminës C dhe zinkut, të cilat janë kyçe për imunitetin. Frutat dhe perimet e ulin rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve dhe parandalojnë shfaqjen e kilogramëve të tepërt tek fëmijët.
Qumështi dhe produktet e qumështit janë burimi më i mirë i kalciumit, i cili është i rëndësishëm për zhvillimin e eshtrave (së bashku me vitaminën D), të cilat duhet të futen çdo ditë, edhe atë: të paktën 300-350 ml qumësht të freskët, kos ose jogurt dhe 25-30 gram djathë ose kaçkavall. Kosi dhe jogurti kanë domethënie të veçantë tek të ushqyerit e e fëmijëve, pasiqë përmbajnë baktere të acidit laktik që e përmirësojnë tretjen, nxisin lëvizjet e zorrëve dhe ndihmojnë zhvillimin e baktereve “të mira” në zorrë, duke parandaluar kështu çrregullimet e zorrëve. Bakteret e acidit laktik e përmirësojnë imunitetin dhe zvogëlojnë rastet e alergjive ndaj qumështit.
Sa i përket përzgjedhjes së mishit, praktika moderne rekomandon përzgjedhjen e mishit pa yndyrë (mish pule, mish viçi) dhe peshk, si dhe ushqime nga grupi i fasuleve dhe thjerrëzave. Mishi, peshku dhe vezët, si dhe alternativat e tyre – fasulet, thjerrëzat, janë burim i pasur i proteinave dhe hekurit. Megjithatë, mishi është furnizuesi kryesor i trupit me hekur, duke parandaluar kështu aneminë – mungesën e hekurit, e cila shpesh është problem ushqimor i kësaj grupmoshe. Konsumimi i mishit duhet të bëhet 3 herë në javë, ndërsa peshku 1-2 herë në javë, por kryesisht peshk i freskët! Vezët janë ushqim i dobishëm për fëmijët, si burim i shumë proteinave, yndyrnave, mineraleve dhe vitaminave. Ata duhet të përfshihen tek të ushqyerit e fëmijëve deri në 5 ditë në javë, edhe atë të gatuara mirë.
Mishi me yndyrë dhe përpunimet e mishit, duhet të shmangen. E njëjta gjë vlen edhe për patatet e skuqura, smokit, petullat dhe ushqimet e ngjashme, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e tryezës së fëmijëve. Konsumi i tepërt i yndyrës ose ushqimeve yndyrore mund të çojë në rritjen e peshës trupore ose kilogramëve të tepërt. Kilogramët e tepërt gjatë fëmijërisë mund të vazhdojnë edhe në fazat e ardhshme të jetës, gjë që rrit rrezikun ndaj shëndetit. Burimi më i mirë i yndyrës e cila duhet përdorur në ushqimin e fëmijëve është gjalpi dhe vajrat bimorë (vaji i ullirit).
Konsumi i sheqerit, ëmbëlsirave dhe pijeve të gazuara joalkoolike duhet të reduktohet në maksimum. Këto produkte jo vetëm që janë të dëmshme për dhëmbët dhe lukthin, por në vete gjithashtu mbartin shumë energji por nuk kanë asnjë vlerë ushqyese, prandaj shkaktojnë rritjen e peshës trupore tek fëmijët dhe përbëjnë rrezik faktor për sëmundjet e mëtejshme.
Mësoni fëmijët me ushqime më pak kripë. Në këtë mënyrë, do t’ju shërbeni për periudhën e më vonshme, pasiqë konsumimi i madh i natriumit e rrit humbjen e kalciumit nga eshtrat, krijon rrezik për rritjen e tensionit të gjakut dhe dëmton funksionin e veshkave.
Në fund, por jo më pak e rëndësishme, fëmijës ofroni 5-6 gota ujë dhe lëngje të tjera për për shkak të rrezikut nga dehidrimi. Dehidrimi çon në rënien e aktivitetit mendor dhe fizik, zvogëlimin e përqendrit dhe vëmendjes; lodhje, dhimbje koke dhe rritje të temperaturës trupore.
Ushqimi i duhur mund të parandalojë shfaqjen e shumë sëmundjeve, si: obezitetin, diabetin, kolesterolin e lartë dhe trigliceridet, sëmundjet e zemrës, osteoporozën, alergjitë etj., dhe të sigurohet zhvillimi i duhur dhe psiko-fizik i fëmijëve.