Adoleshentët të cilët nuk konsumojnë ushqime të pasura me vitaminën K, siç janë perimet me gjethe jeshile, janë të ekspozuar tre herë më shumë ndaj rrezikut të hipertrofisë së barkushës së majtë, zbuloi një studim i ri. Sa më pak që konsumohet vitamina K, aq më i madh është rreziku i hipertrofisë së barkushës së majtë.
Në hulumtim u përfshin 766 adoleshentë të shëndetshëm të moshës 14 deri në 18 vjeç.
Vitamina K është e rëndësishme për koagulimin e gjakut dhe shëndetin e eshtrave. Vitamina K gjithashtu mund të përmirësojë aktivitetin e proteinës, e njohur si proteina Matrix GLA, e cila ndihmon në parandalimin e formimit të depozitimit të kalciumit në enët e gjakut. Sipas mendimit të ekspertëve, nevojiten studime shtesë për të vlerësuar korrelacionin midis vitaminës K dhe shëndetit afatgjatë të zemrës. Vitamina K tretet në yndyrna, ndihmon gjatë mpiksjes së gjakut dhe kontribuon në shëndetin e zemrës, eshtrave dhe sistemit imunitar.
Kariesi i dhëmbëve, shëndeti jo i mirë i mishit të dhëmbëve, eshtrat e dobëta dhe problemet e zemrës mund të tregojnë për mungesë të kësaj vitamine.
Ka dy forma të ndryshme: vitamina K1, e cila më së shumti gjendet tek perimet e gjelbra si spinaqi, lakra jeshile, brokoli dhe vitamina K2 e cila gjendet tek mishi, vezët, produktet e qumështit, disa lloje djathi dhe jogurti.
Roli kryesor i vitaminës K1 është që të sigurojë rrjedhje normale të gjakut, ndërsa roli i vitaminës K2 është krejtësisht i ndryshëm, ai orienton kalciumin në pjesë të trupit që kanë nevojë për të.
Cilat janë shenjat e mungesës së vitaminës K?
Nëse lëkura juaj gjakoset lehtësisht, mund të keni mungesë të vitaminës K. Përveç kësaj, kariesi i dhëmbëve, shëndetit jo i mirë i mishit të dhëmbëve, eshtra të dobëta dhe problemet e zemrës mund të tregojnë për mungesën e kësaj vitamine.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i tepërt i antibiotikëve, të cilat ndikojnë ngeativisht te bakteret në stomak, mund t’a zvogëlojë absorbimin e vitaminës K2 nga ushqimi.
Ata theksojnë se është e nevojshme që adoleshentët dhe gratë në menopauzë të marrin më shumë vitaminë K2. Adoleshentët me futjen e kësaj vitaminë kujdesen për eshtrat dhe shëndetin kardiovaskular. Gratë në menopauzë, gjatë kësaj periudhe për shkak të uljes së nivelit të estrogjenit, mund t’u zvogëlohet dendësia e kockave deri në 20 për qind, ndërsa kjo vitaminë është thelbësore për ruajtjen e dëndësisë.