Në vitin 2020, nëse njerëzit humbnin ndjenjën e të nuhaturit, kishte të ngjarë që ata të infektoheshin me koronavirus. Variantet më të reja, duke përfshirë nën-variantet e omicron, nuk e shkaktuan këtë simptomë aq shpesh.
Megjithatë, humbja e nuhatjes mund të kthehet, pasi nënvarianti BA.5, i cili mund të shmangë lehtësisht përgjigjen imune të trupit, është bërë shkaku më i zakonshëm i rasteve të reja.
Valentina Parma, psikologe në Qendrën e shqisave kimike Monell në Filadelfia, e cila punon me pacientët me Covid, thotë se po sheh më shumë njerëz me humbje të nuhatjes në krahasim me fillimin e vitit.
“Kur aplikojmë testin e nuhatjes, shohim se rreth 25 për qind e njerëzve kanë të dëmtuar dhe të dobësuar shqisën e nuhatjes, gjë që nuk është një numër i vogël”, shton ajo.
Dr. Parma thekson se numri i njerëzve që raportojnë humbje të nuhatjes është “dukshëm më i ulët”, sesa me variantin delta, i cili ishte dominues në vitin 2021.
Nuk është e qartë pse disa variante shkaktojnë humbje të nuhatjes më shumë se të tjerët. Megjithatë, hulumtimet sugjerojnë se humbja e nuhatjes ndodh kur virusi infekton qelizat nervore në hundë.