Me dëshirën për shkëmbim të suksesshëm të përvojave dhe për ndarjen e të rejave në mjekësi dje në Ohër, Kryetari i Shoqatës për Alergologji dhe Imunologji Klinike të Maqedonisë, Prof. Dr. Dejan Dokiç e hapi zyrtarisht kongresin e katërt të Shoqatës me pjesëmarrje ndërkombëtare. Qëllimi i kongresit, i cili do të zgjasë deri të dielën, sipas Prof. Dokiç është shkëmbimi i frytshëm i mendimeve, përvojave dhe vizioneve midis kolegëve maqedonas, europianë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë pjesë e kësaj ngjarjeje.
Ia arritëm që në këto tre ditë përveç pulmologëve dhe alergologëve të bashkojmë edhe pediatrit, dermatologët, internistët, specialistët e mjekësisë së punës, oftalmologët, otorinolaringologët. Ky do të jetë më shumë sesa një kongres i suksesshëm, në të cilin përveç profesionalizmit, na bashkon edhe miqësia me shumë kolegë, theksoi dje në hapjen kryetari Prof. Dokiç.
Kongresi do të përfshijë tema të tilla si astma, riniti, imunoterapia, sëmundjet alergjike pediatrike, urtikaria, dermatiti atopik, alergjitë ushqimore, alergjitë ndaj barnave, anafilaksia, sëmundjet alergjike profesionale, sëmundjet alergjike të syve, sëmundjet imunologjike…
Ky kongres është specifik në karakterin e tij, duke pasur parasysh se i integron të gjitha sub-specialitetet të cilat merren me këtë çështje, si dhe u përkushtohet risive në fushën e alergologjisë dhe imunologjisë, theksoi Prof. Dokiç.