NJË HAP PËRPARA: Ilaçet kundër COVID-19 – çfarë dimë deri tani?

Bëhet fjalë për pilula që merren përmes gojës sapo shfaqen simptomat e para të COVID-19 për të shmangur format më të rënda të sëmundjes, e në këtë mënyrë edhe trajtimin spitalor.

Po sikur një pilulë e thjeshtë të ndihmojë në kurimin e COVID-19? Së fundmi, dy kompani farmaceutike amerikane njoftuan rezultate inkurajuese nga provat e medikamenteve të tyre orale për këtë sëmundje pandemike.

Bëhet fjalë për pilula që merren nëpërmjet gojës sapo shfaqen simptomat e para të COVID-19 për të shmangur format më të rënda të sëmundjes, e në këtë mënyrë edhe trajtimin spitalor. Ky lloj trajtimi është kërkuar që nga fillimi i kësaj krize globale shëndetësore.

Pas muajsh kërkimesh, Merck dhe Pfizer njoftuan se e kishin arritur qëllimin. Merck njoftoi në fillim të tetorit se po kërkonte leje për të përdorur ilaçin e tij molnupiravir në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Pfizer bëri të njëjtën gjë javën e kaluar për paxlovid-in e tij.

Në të dyja rastet bëhet fjalë për barna antivirale që funksionojnë duke reduktuar mundësinë e riprodhimit të virusit, gjë që ngadalëson përparimin e sëmundjes.

Të dyja kompanitë pohojnë se provat klinike kanë treguar se përdorimi i ilaçeve ul ndjeshëm rrezikun e shtrimit në spital. Kompanitë pretendojnë se njëri ilaç redukton rrezikun me 50 për qind, ndërsa tjetri me 89 për qind, megjithëse normat e efikasitetit nuk duhet të krahasohen drejtpërdrejt për shkak të protokolleve të ndryshme të testimit.

PSE JANË TË RËNDËSISHME?

Nëse konfirmohet efektiviteti i barnave, do të jetë një hap i madh përpara në luftën kundër COVID-19 dhe së bashku me vaksinat do të forcojnë arsenalin terapeutik kundër virusit. Terapitë janë tashmë të disponueshme, kryesisht në formën e antitrupave sintetikë, por këto barna injektohen dhe zakonisht u jepen pacientëve që tashmë janë të sëmurë rëndë.

Nga ana tjetër, pilulat përshkruhen shumë shpejt, ndërsa mund të merren thjesht pa dalë pacienti nga shtëpia.

Trajtimi me këto medikamente orale, të cilat aktualisht nuk shkaktojnë shumë efekte anësore, do të zgjaste pesë ditë me dy doza në ditë.

“Suksesi i këtyre barnave antivirale hap një kapitull të ri në parandalimin e pasojave të rënda të COVID-19”, tha virologu britanik Stephen Griffin.

KUFIZIMET?

Është e vështirë të vlerësohet suksesi i terapive orale të shpallura, sepse kompanitë nuk i kanë publikuar ende të dhënat për provat klinike. Carine Lacombe, eksperte nga Franca, paralajmëron se njoftime të tilla nga kompanitë farmaceutike duhet të merren me kujdes derisa provat e tyre të kalojnë rishikimet shëndetësore. Ajo tregon se edhe barna të tilla mund t’u sjellin atyre një treg “potencialisht të madh”.

Ekspertët e pavarur thonë se disa elementë sugjerojnë se dy kompanitë nuk po bëjnë premtime të rreme. Të dyja kompanitë ndërprenë provat klinike më herët se sa pritej me miratimin e bordeve të pavarura mbikëqyrëse sepse rezultatet ishin shumë të mira.

KUR DHE SA?

Molnupiravir është miratuar tashmë në Britaninë e Madhe. Autoritetet shëndetësore atje i dhanë atij dritën jeshile për të trajtuar njerëzit me rrezik më të lartë për të zhvilluar pamje të rëndë klinike tek të moshuarit, njerëzit mbipeshë dhe diabetikët. Autoritetet amerikane dhe evropiane po e vlerësojnë ilaçin sipas një procedure të përshpejtuar.

Disa vende tashmë kanë rezerva molnupiravir, si Shtetet e Bashkuara, që kanë porositur 1.7 milionë doza. Amerikanët i japin edhe drejtimin dhe sa mund të kushtojë ilaçi. Vlera totale është 1.2 milion dollarë, që do të thotë se pesë ditë terapi me molnupiravir kushton rreth 700 dollarë.

Një çmim i “volitshëm” është shpallur edhe për ilaçin Paxlovid.