A jeni duhanpirës aktiv, apo vetëm me raste ndizni cigare? Dr. Richard Russell, këshilltar i shëndetit të mushkërive, në kuadër të Shoqatës Britanike për Sëmundjet Pulmonare pretendon se nuk ka duhanpirës të rastit dhe se ky është një term që duhanpirësit e kanë shpikur vetë për të justifikuar shprehitë e tyre.
“Gjegjësisht, organizmi e llogarit çdo cigare të pirë, pavarësisht se sa e rrallë është ajo. Sa herë që pini duhan – qoftë herë pas here ose gjithmonë, thithni kimikate helmuese. Madje edhe duhanpirja me raste e ekspozon trupin ndaj rreziqeve. Gjëja e vetme më e sigurt është që të mos pini duhan”, thekson Dr. Russell.
“Shkencëtarët nga Universiteti Bristol kanë arritur në përfundimin se çdo cigare që individi do ta pijë e shkurton jetën për 11 minuta. Një studim i vjetër tregoi se njerëzit që kishin pirë një deri në katër cigare në ditë kishin një rrezik shumë më të madh të vdekjes së parakohshme sesa jo-duhanpirësit”, shton mjeku.
Arsyeja për këtë është fakti se pirja e duhanit i dobëson mushkëritë dhe i ekspozon ndaj infeksioneve. Pirja e duhanit gjithashtu e zvogëlon aftësinë e frymëmarrjes dhe furnizimin e gjakut me oksigjen. Trupi që nuk furnizohet mjaftueshëm me oksigjen shkatërrohet, gjë që shihet qartë tek lëkura dhe flokët.
Shkencëtarët nga instituti Wellcome Trust Sanger kanë analizuar ADN-në e të ashtuquajturve duhanpirës me raste dhe zbulan se edhe sasia më e vogël e cigareve shkakton mutacion ADN-së që mund të çojë në zhvillimin e kancerit.