Një studim ka vërtetuar se prindërimi i rreptë mund të dëmtojë shëndetin mendor të fëmijëve

Prindërit që janë të rreptë me fëmijët e tyre dhe përdorin shpesh këtë stil prindërimi mund të shkaktojnë dëme të mundshme dhe të pariparueshme në shëndetin mendor të fëmijëve të tyre. Këtë e vërteton një studim i kryer.

Tashmë e dimë se ngritja e zërit ndaj fëmijëve nuk është efektive, dhe “rrahja”, pra ndëshkimi fizik, është edhe më pak efektive. Ne e dimë gjithashtu se pasoja të tilla të veprimeve të fëmijëve nuk janë aspak të dobishme për fëmijët. Por hulumtimet e reja kanë vërtetuar se një metodë e tillë e vazhdueshme e edukimit, e cila bazohet në rreptësi, mund të ketë një ndikim shumë negativ në shëndetin mendor të fëmijës.

Gjatë studimit, shkencëtarët ndoqën 7.500 fëmijë të moshës 3 deri në 9 vjeç dhe gjatë ndjekjes shumëvjeçare zbuluan se rreth 10% e fëmijëve i përkisnin grupit me “rrezik të lartë” për sa i përket shëndetit mendor. Simptomat e tyre të përkeqësimit të shëndetit mendor – duke filluar nga trishtimi i vazhdueshëm deri te shpërthimet e zemërimit – u përkeqësuan me kalimin e viteve.

Por kur vëzhguan fëmijët, prindërit e të cilëve shpesh përdornin masa të ashpra prindërimi, disiplinë të ashpër, duke përfshirë ngritjen e zërit ose ndëshkimin fizik, ata kishin 50 për qind më shumë gjasa të përfundonin në atë grup sesa bashkëmoshatarët e tyre.

Ekspertët thonë se rezultatet, të publikuara në revistën Epidemiology and Psychiatric Sciences, nënvizojnë një pikë shumë të rëndësishme: disa prindër duhet të mësojnë strategji më të mira prindërimi për të ndikuar në sjelljen e fëmijëve të vegjël. Kjo mund të jetë dërgimi i tyre në pushim, me qëllim që të parandalohen zemërimet, por edhe vendosja e rregullave të qarta dhe të qëndrueshme të sjelljes që fëmijët e vegjël mund t’i kuptojnë.

Përktheu dhe përshtati: S.N