Njerëzit me diabet kanë rrezik më të lartë të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i invaliditetit dhe vdekshmërisë tek personat me diabet të tipit 2. Ata kanë dy deri në gjashtë herë rrezik më të lartë të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare në raport me njerëzit që nuk kanë diabet.

Federata Ndërkombëtare e Diabetit (FND) ka publikuar rezultatet e një studimi global të ndërgjegjësimit mbi sëmundjet kardiovaskulare në mesin e pacientëve me tip të diabetit të titulluar “Merrni Diabetin në Zemër”.

Hulumtimi përfshiu 12 695 njerëz, nga mbi 130 vende nga mbarë bota.

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i invaliditetit dhe vdekshmërisë tek personat me diabet të tipit 2. Ata kanë dy deri në gjashtë herë rrezik më të lartë të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare në raport me njerëzit që nuk kanë diabet. Nga 425 milion njerëz me diabet, sëmundja e dabetit të tipit 2 përbën 90%.

REZULTATET

  • Dy nga tre persona kanë rrezik faktor për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe / ose tashmë kanë patur probleme me to. Rrezik faktorët janë tensioni i lartë i gjakut, niveli i pakontrolluar i sheqerit në gjak, kolesteroli i lartë, ndërsa problemi kardiovaskular paraqet: angina pectoris, sulm në zemër, sulm në tru ose dështimi i zemrës.
  • Një nga katër persona kurrë nuk ka folur ose nuk i kujtohet nëse ka folur për rrezik faktorët e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare me mjekun e tyre.
  • Një në katër persona mendojnë se kanë pak rrezik pët të zhvilluar sëmundjet kardiovaskulare.
  • Tre nga katër persona mbështeten në informacionet për këto sëmundje, që i kanë marrë nga mjeku i tyre.

Të dhënat tregojnë se të anketuarit me diabet të tipit 2 e kanë nënvlerësuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, pavarësisht frekuencës së lartë të këtyre problemeve. Megjithëse më shpesh për informacion dhe këshilla mbi sëmundjet kardiovaskulare mbështeten te mjeku i tyre, nuk është folur fare për rreziqet që ato sjellin në shëndetin e tyre.

Është parashikuar që prevalenca globale e diabetit të arrijë në 629 milionë njerëz deri në vitin 2045, gjë që përbën kërcënim për sistemet shëndetësore.

FND konsideron se të dhënat e publikuara nga ky studim, do të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes mbi rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe ndikimin e tyre tek njerëzit me diabet të tipit 2 dhe do të ndihmojnë në arritjen e rezultateve më të mira shëndetësore.