NJIHNI SHENJAT PARALAJMËRUESE: Këto janë të gjitha simptomat e njohura të koronavirusit; disa imitojnë ftohjen e zakonshme, të tjerat janë pasqyrë e gripit, ndërsa disa prej tyre janë bizarre (1)

Edhe pse mund të duket se po zgjat me vite, ne kemi luftuar me koronavirusin e ri vdekjeprurës për rreth gjysmë viti, kur filloi të përhapet nga qyteti kinez Wuhan nëpër të gjithë botën.

Shkencëtarët po punojnë çdo ditë për të zbuluar misteret që kanë të bëjnë me këtë sulmues serioz, ndërsa informacionet që ata kanë mbledhur ndërkohë në lidhje me virusin dhe sëmundjen COVID-19 që e shkakton, dallojnë nga ato që nga shpërthimi i pandemisë globale në mars.

“Tani ne dimë më shumë rreth asaj se si njerëzit e infektuar me virusin SARS-CoV-2 sëmuren”, tha Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë parandaluese dhe sëmundjeve infektive në Fakultetin e Mjekësisë Universitare Vanderbilt.

Ethet, kolla dhe gulçimi janë akoma treguesit kryesorë të COVID-19, por ekspertët prej atëherë kanë zbuluar shenja të tjera paralajmëruese që sinjalizojnë infeksionin me koronavirus. Disa imitojnë të ftohtin e zakonshëm, të tjerët janë pasqyrë e gripit, ndërsa disa prej tyre janë me të vërtetë të bizarre.

“Ndërkohë, mësuam për gishtat Covid, humbjen e ndjenjës së shijes dhe nuhatjes, ndërsa kuptuam se mund të shkaktojë edhe delirium. Ende nuk është plotësisht e qartë se si ndikon në sistemin nervor qendror, por është e qartë se disa nga pacientët kanë delirium”, thekson Schaffner dhe shton se sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, çdo simptomë mund të shfaqet midis dy dhe 14 ditëve pas ekspozimit ndaj virusit, por praktika ka treguar që shenjat e sëmundjes në shumicën e rasteve shfaqen brenda një jave.

“Mendojmë se periudha mesatare e inkubacionit është më e shkurtër. Tani kjo është pesë deri në shtatë ditë, ndërsa ndonjëherë mund të jetë më e gjatë”, thekson Schaffner.

NËSE SIMPTOMAT JANË TË PRANISHME

Një gjë tjetër që po kristalizohet ndërkohë është se shumë prej nesh mund të jenë përhapës asimptomatikë të virusit.

Një e treta ose më shumë njerëz që janë pozitiv me koronavirusin e ri nuk kanë simptoma ose janë shumë të lehta dhe ato mund që të mos i vërejnë ato.

“Mund të ndjehemi plotësisht mirë dhe ta bëjmë këtë bisedë ulur në një tryezë përballë njëra-tjetrës, ndërsa as un nuk mund t’ju vërtetoj se nuk kam virus, as nuk mund ta dëshmoni atë për mua”, tha Dr. Schaffner, duke shtuar se ky është shpjegimi i vetëm pse të gjithë duhet të mbajnë maskë.

Dhe ky është një tjetër konstatim që është bërë ndërkohë, kështu që ndryshe nga fillimi i pandemisë, tani besohet se maskat mund të ofrojnë vërtet mbrojtje si për mbajtësin ashtu edhe për të tjerët.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë këtë, sepse shumë akoma besojnë se nuk duhet të mbajnë maskë nëse nuk janë të sëmurë”, thotë mjeku, dhe shton  se duke pasur parasysh gjetjet e reja, është sjellje e paarsyeshme.

SIMPTOMAT JOTËZAKONSHME

Nëse pyetja do të ishte ndonjë sëmundje që ka gjetur mënyrën për të sulmuar trupin në mënyra më të çuditshme dhe më të ndryshme, përgjigja me siguri do të ishte COVID-19. SARS-CoV-2 duket se depërton pothuajse në të gjitha organet e rëndësishme në trupin e njeriut, ndërsa përveç kësaj mpiks gjakun, shpesh në mënyra shumë të rrezikshme, sulmon ndjenjën e nuhatjes, sytë madje edhe lëkurën.

Simptomat e reja të rralla po shfaqen gjithnjë e më shumë, pasi numri i pacientëve me COVID-19 rritet, kështu që është e vështirë të jepet një listë shteruese, por në dy vazhdimet e radhës ne do paraqesim disa nga simptomat bizarre që mund të ndodhin si rezultat i infeksionit me koronavirus.

Vijon: COVID gishtat, mpiksja e gjakut dhe shfaqjen e syve rozë si simptoma të koronavirusit