Njihni simptomat e çrregullimit hormonal

Ndjeheni të fryrë, nervoz apo thjesht nuk është dita juaj. Për këtë gjë mund të jenë përgjegjës hormonet.

Hormonet janë komponime kimike që ndikojnë në punën e qelizave dhe të gjithë organizmit. Është normale nëse vlerat e tyre ndryshojnë në një periudhë të caktuar të muajit, sidomos para dhe gjatë ciklit menstrual. Disbalanci hormonal paraqitet edhe në menopauzë. Përveç këtyre arsyeve, ndryshimi i hormoneve mund të shfaqet si rezultat i ndonjë sëmundje ose përdorimit të barnave të caktuara.

Ndryshimet e gjendjes shpirtërore dhe depresioni

Studime të shumta kanë vërtetuar lidhjen midis ndryshimit të hormoneve dhe ndryshimit të papritur të gjendjes shpirtërore. Estrogjeni ndikon në nivelin e kimikateve kryesore të trurit, mes së cilave edhe serotonini i cili është përgjegjës për humorin e mirë, ai madje quhet edhe hormonin e lumturisë.

Puçrrat

Shfaqja e puçrrave gjatë ciklit menstrual është normale dhe për këtë nuk duhet të shqetësoni. Mirëpo, nëse puçrrat nuk kalojnë kjo mund të jetë si rezultat i problemeve me hormonet. Niveli i rritur i hormoneve androgjene (mashkullore) të cilat i kanë edhe burrat edhe gratë, mund të shkaktojnë rritje të sekretimit të gjëndrave dhjamore. Kjo rezulton në mbylljen e poreve dhe me gjasa më të madh për tu shfaqur puçrra.

Probleme me tretjen

Sistemi i digjestiv përbëhet nga qeliza të vogla të quajtura receptorë, të cilat reagojnë në nivelin e estrogjenit dhe progesteronit. Kur këto hormone janë më të larta ose më të ulëta se vlerat normale, do të vëreni ndryshime në tretje. Kjo është arsyeja që, para dhe gjatë ciklit mund të shfaqet diarrea, gazra, fryrje dhe neveri.

Cikli jo i rregullt

Tek shumica e femrave cikli zgjat 21 deri në 35 ditë. Nëse keni cikël jo të rregullt, i cili vonohet me ditë, nganjëherë me muaj, atëherë ka gjasa që të keni rënie ose nivele të larta të estrogjenit dhe progesteronit. Arsyeja e ciklit të tillë te gratë e moshës mbi 40 vjeçare mund të jetë premenopauzë – periudha para menopauzës. Kjo mund të jetë gjithashtu si rezultat i problemeve shëndetësore, si sindromi ovarian polycystic, prandaj është mirë që të kontrolloheni te gjinekologu.

Probleme me gjumin

Hormoni i femrave progesteroni luan rol mbi gjumin, ju ndihmon të bini në gjumë. Vlerat e ulëta të këtij hormoni mund t’ju bëjnë të pamundur që të bini në gjumë. Progesteroni i ulët është përgjegjës edhe për djersitjet gjatë natës dhe ndjesinë e valëve të nxehta në të gjithë trupin.

Lodhje

Lodhja është një nga simptomat më të zakonshme të çrregullimit hormonal. Progesteroni i tepërt mund t’ju bëjë të ndjeheni të përgjumur.

Kokëdhimbje

Shumë shkaqe mund të çojnë në dhimbje koke. Një ndër to është edhe niveli i ulët i estrogjenit. Pikërisht, arsyeja se pse shfaqen dhimbjet e kokës para ose gjatë ciklit lidhet me rënien e këtij hormoni.

Shumë prej këtyre simptomave mund të tregojnë edhe për çrregullime të tjera shëndetësore, prandaj rekomandohet që të konsultoheni me gjinekologun. Niveli i hormoneve shqyrtohet nëpërmjet analizave të gjakut, në një periudhë të caktuar kohore që do t’ju caktoj gjinekologu.