Një prind manipulues përdor një sërë taktikash për të kontrolluar, shfrytëzuar ose ndikuar tek fëmijët e tyre në mënyrë që të marrin atë që duan ose të kënaqin nevojat e tyre, pa marrë parasysh mirëqenien e tyre. Siç shpjegojnë psikologët në “Parenting for Brain”, taktikat manipuluese të prindërve mund të përfshijnë manipulimin emocional, gënjeshtrat, nxitjen e fajit, kërcënimet dhe forma të tjera të abuzimit psikologjik.
Një sjellje e tillë mund të ketë një ndikim jashtëzakonisht negativ në shëndetin emocional të fëmijës dhe në të njëjtën kohë mund të çojë në dinamika toksike familjare dhe probleme në marrëdhëniet midis fëmijës dhe prindërve. Domethënë, nënat apo baballarët manipulues shpesh thonë gjëra për të fituar kontroll, ndikim ose për të arritur qëllimet apo dëshirat e tyre personale.
Këto synime mund të variojnë nga gjëra të thjeshta, siç janë detyrimi i fëmijëve të bëjnë punët e shtëpisë ose t’u binden rregullave të familjes deri te qëllimet më komplekse ose egoiste si plotësimi i nevojave emocionale të paplotësuara. Për ta arritur këtë, prindërit përdorin disa fraza për të fituar kontrollin dhe njërën prej tyre e përdorin veçanërisht shpesh.
“Nuk dua të flas me ty” është njëra nga frazat që përdoret shpesh nga prindërit e prirur për manipulim emocional dhe ky lloj manipulimi në fakt quhet trajtimi i heshtur, “silent treatment”. Psikologët shpjegojnë se kjo është një nga taktikat më të zakonshme, por edhe më mizore të prindërve manipulues emocionalë.
Gjegjësisht, kjo sjellje mund ta çojë viktimën, në këtë rast fëmijën, në shkatërrim të plotë të psikikës. Prindërit i drejtohen këtij lloj abuzimi dhe ndëshkimi me qëllim që ta bëjnë fëmijën të ndihet keq për diçka që kanë bërë ose nuk duan të bëjnë. Ata refuzojnë të flasin me fëmijën, gjë që i bën ata të ndihen keq dhe pikërisht këtë duan prindërit manipulues.