Një studim i cili përfshiu 5,177 meshkuj tregoi se ata me numër të ulët të spermatozoideve kishin 20% më shumë shanse për të pasur më shumë inde yndyrore, tension të lartë të gjakut dhe kolesterol të keq të lartë. Gjithashtu, ata kishin më shumë gjasa të kishin nivele të ulëta të testosteronit.
Autorët thonë se studimi tregoi se meshkujt me numër të ulët të spermatozoideve, detyrimisht duhet t’u nënshtrohen ekzaminimeve më të hollësishme.
Në studim, shkencëtarët analizuan meshkujt në çifte infertile në Itali, për të përcaktuar nëse cilësia e spermës është e lidhur me shëndetin e përgjithshëm mashkullor. Ata zbuluan se meshkujt me numër të ulët spermatozoidesh kanë sindromë metabolike – grup rrezik faktorësh, duke përfshirë edhe indeksin më të lartë të masës trupore dhe tensionin e lartë. Kjo e rrit rrezikun e zhvillimit të diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe sulmit në tru, konkludohet në studim.
Këta meshkuj gjithashtu kanë 12 herë më shumë gjasa të kenë nivele të ulëta të testosteronit, gjë që redukton masën muskulore dhe dendësinë e kockave, dhe mund të jetë paraardhësi i osteoporozës, gjendje në të cilën dobësohen eshtrat dhe thyhen më lehtë.
Hulumtuesi kryesor Alberto Ferlin thotë: “meshkujt infertil kanë më shumë gjasa të kenë probleme serioze shëndetësore ose rrezik faktorë që përkeqësojnë cilësinë e jetës dhe mund të shkurtojnë jetëgjatësinë”.
Analiza e fertilitetit jep mundësi unike për meshkujt që të vlerësojnë shëndetin dhe të parandalojnë më shumë sëmundje. Shkencëtarët thonë se hulumtimi i tyre nuk tregon se numër i ulët i spermatozoidëve shkakton probleme metabolike, por që gjendjet mund të lidhen.