OBSH ka pranuar se “janë shfaqur prova”, që tregojnë se COVID-19 përhapet edhe nëpërmjet ajrit

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) paralajmëroi se "epidemia është duke u përshpejtuar" dhe "se po shfaqen prova" të transmetimit të COVID-19 nëpërmjet ajrit, pasi 239 ekspertë kanë ndezur alarmin për shkak të mënyrës së tillë të infeksionit.

“Ne e pranojmë që janë shfaqur prova në atë zonë dhe prandaj duhet të jemi të hapur për atë mundësi dhe të kuptojmë implikimet”, theksoi Benedetta Allegranci, një nga figurat kryesore të OBSH-së në një video-konferencë.

“Mundësia që virusi të bartet nëpërmjet ajrit në vendet publike, veçanërisht nëse është i mbipopulluar, nuk mund të përjashtohet. Megjithatë, provat duhet të mblidhen dhe interpretohen”, paralajmëroi Allegranci, i cili rekomandoi “ventilim efikas të hapësirave të mbyllura dhe ruajtjen e distancës fizike”.

“Kur kjo nuk është e mundur, rekomandojmë mbajtjen e maskave,” tha Allegranci.

Më shumë se 200 shkencëtarë ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje OBSH-së dhe komunitetit ndërkombëtar mjekësor që “të njohin mundësinë që virusi të transmetohet përmes ajrit” në një artikull të botuar ditëve të fundit në revistën Clinical Infectious Diseases në Oksford.

OBSH më parë ishte kritikuar se ishte vonuar në rekomandimin e mbajtjes së maskave mbrojtëse, ndërsa tani akuzohet se nuk pranoi të shihte numrin në rritje të transmetuesve të virusit nga ajri.

“Epidemia është duke u përshpejtuar dhe ne akoma nuk kemi arritur kulmin e pandemisë”, paralajmëroi Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adanom në një konferencë shtypi.

“Numri i vdekjeve duket se është stabilizuar në të gjithë botën, por në realitet disa vende kanë bërë përparim të konsiderueshëm në uljen e vdekshmërisë, por në vendet e tjera numri i të vdekurve po rritet si rezultat i COVID-19”, tha Gebrejesus.

COVID-19, sëmundje e shkaktuar nga koronavirusi i ri, ka vrarë më shumë se 535,000 njerëz në të gjithë botën në gjashtë muaj dhe ka infektuar 11.4 milion.