OBSH: Këto janë 10 kërcënimet më të mëdha për shëndetin e njeriut në vitin 2019; lista përfshin edhe kundërshtarët e vaksinimit

Për këtë vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoni 10 kërcënimet më të mëdha për shëndetin e njeriut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar një shënim të kërcënimeve më të mëdha për shëndetin e njeriut në vitin 2019, ndërsa përveç gripit, kancerit dhe sëmundjeve të tjera të rrezikshme infektive dhe jo-infektive, në listë u gjenden edhe kundërshtarët e vaksinimit.

“Nëpërmjet vaksinave ndalohen dy deri në tre milionë vdekje çdo vit, por kjo shifër mund të jetë edhe shumë më e lartë. Një milion e gjysmë njerëz të tjerë mund të shpëtohen nëse imunizimi është në një nivel më të lartë”, thonë nga OBSH.

Ndotja e ajrit dhe ndryshimet klimatike

Nëntë nga 10 veta thithin ajër të papastër. OBSH beson se ajri i ndotur do të jetë kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin tonë.

Sëmundje jo-infektive dhe sëmundjet kronike të pashërueshme

Ky lloj i sëmundjeve, që përfshin diabetin, kancerin dhe sëmundjet kardiovaskulare, është përgjegjëse për 70% të të gjitha rasteve të vdekjes në mbarë botën, që përfshijnë 41 milionë njerëz në vit.

Pandemia e gripit global

Sipas parashikimeve të OBSH-së, këtë vit, njerëzimin do ta godasë pandemia e gripit, por askush nuk e di se në çfarë mase do të jetë ose ku do të ndodhë.

Zonat me kujdes të ulët shëndetësor për shkak të kushteve të jetës

Më shumë se 1.6 miliardë njerëz, ose rreth 22% e popullsisë së botës, kanë kujdes shëndetësor shumë të dobët. Mbi të gjitha, për shkak të kushteve të këqija të jetesës.

Rezistenca e viruseve dhe baktereve ndaj barnave 

Zhvillimi i antibiotikëve, ilaçeve antivirale dhe barnave të tjera është një nga sukseset më të mëdha botërore, por problem paraqet aftësia e viruseve dhe baktereve të mbeten rezistente ndaj këtyre barnave.

Ebola dhe patogjene të ngjashme

Vetëm vitin e kaluar në Republikën Demokratike të Kongos ndodhën dy pandemi të Ebola-s, të cilat ishin potencialisht shkatërruese për rreth një milion njerëz.

Kujdesi i dobët shëndetësor

Kujdesi bazë cilësor shëndetësor, akoma nuk është i disponueshëm në shumë vende, ndërsa zhvillimi i tij sipas parashikimeve të OBSH, duhet të jetë fokusi i institucioneve mjekësore në mbarë botën.

Kundërshtarët e vaksinimit

Çdo vit, dy deri në tre milionë vdekje parandalohen nga vaksinimi, ndërsa kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë, thonë nga OBSH. Ata shtojnë se arsyet kryesore pse njerëzit hezitojnë dhe nuk vaksinohen është indiferenca dhe mungesa e besimit. Në Shtetet e Bashkuara, ata që shmangin vaksinat për vete ose për fëmijët e tyre, shpesh thonë se kjo është për shkak të arsyeve fetare ose keqinterpretimit se vaksinat çojnë në shfaqjen e autizmit. Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve thonë se nuk ka lidhje shkencore midis vaksinimit dhe autizmit.

“Nëse ndalojmë vaksinimin, gjithnjë e më shumë fëmijë do të vdesin. Sëmundjet që pothuajse i kemi harruar, do të kthehen përsëri. Në vitet e fundit, pasi njerëzit filluan të refuzonin vaksinimin, përsëri u shfaqen sëmundjet si poliomeliteli i fëmijëve dhe fruthi, të cilat konsideroheshin si të çrrënjosura në vendet ku vaksina ishte lehtësisht e disponueshme”, deklarojnë nga OBSH.

Ethet e dengut

Ethet e dengut është sëmundja më e përhapur virale e cila transmetohet nga mushkonjat. Mund të jetë vdekjeprurëse, ndërsa rreth 20% e pacientëve të sëmurë vdesin. OBSH thotë se 40% e popullsisë së botës është e rrezikuar nga kjo sëmundje, ndërsa çdo vit infektohen rreth 390 milionë njerëz.

HIV

OBSH thekson se çdo vit rreth një milion njerëz vdesin nga ky virus, ndërsa që kur është shfaqur janë infektuar pothuajse 70 milion njerëz.