Lija e majmunëve është sëmundje virale e shkaktuar nga një virus që është i ngjashëm me linë, por nuk përhapet midis njerëzve me aq efikasitet dhe ka një shkallë më të ulët të vdekshmërisë se lija.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se “transmetimi i qëndrueshëm” i virusit të lisë së majmunit në të gjithë botën mund të çojë në fillimin e kalimit te grupet me rrezik të lartë si gratë shtatzëna, njerëzit me imunitet të kompromentuar dhe fëmijët.
OBSH ditë më parë tha se po hetonte raportet e fëmijëve të infektuar, përfshirë dy raste në Britaninë e Madhe, si dhe raportet nga Spanja dhe Franca. Asnjë nga rastet e fëmijëve nuk ishte i rëndë.
Virusi deri më tani është identifikuar në më shumë se 50 vende të reja jashtë Afrikës ku është endemik. Numri i rasteve po rritet gjithashtu në ato vende, tha OBSH, duke bërë thirrje për më shumë testime.
“Jam i shqetësuar për transmetimin e vazhdueshëm, sepse sugjeron që virusi ka zënë rrënjë dhe mund të përhapet në grupe me rrezik të lartë, duke përfshirë fëmijët, personat me imunitet të kompromentuar dhe gratë shtatzëna”, tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sëmundja manifestohet me temperaturë të lartë trupore, dhimbje koke, ethe, rraskapitje, lodhje, dhimbje muskujsh dhe shpine, ënjtje të nyjeve limfatike dhe skuqje të ngjashme me skuqjen që shfaqet e tek lija.