Omicron përhapet më shpejt se delta, sulmon të vaksinuarit dhe ata që e kanë kaluar COVID-19

Varianti omicron i koronavirusit përhapet më shpejt se varianti delta dhe prek të vaksinuarit dhe ata që kanë kaluar COVID-19, ka theksuar këto ditë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

“Tani ka prova të forta që omicron po përhapet shumë më shpejt se varianti delta,” tha shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë shtypi në Gjenevë.

“Njerëzit që janë vaksinuar dhe ata që janë shëruar nga COVID-19 kanë gjithashtu më shumë gjasa të infektohen ose të riinfektohen”, shtoi ai.

Shkencëtari kryesor i OBSH-së, Soumya Swaminathan tha se varianti omicron shmang me sukses disa përgjigje të sistemit imunitar, që do të thotë se doza përforcuese të vaksinës duhet t’u jepen njerëzve me sistem imunitar më të dobët.

Omicron duket se shmang më mirë antitrupat që stimulohen nga vaksinat, por ka forma të tjera imuniteti që mund të parandalojnë infeksionin dhe sëmundjet, thonë ekspertët e OBSH-së.

“Ne nuk besojmë se të gjitha vaksinat do të jenë plotësisht efektive,” tha Swaminathan.

Eksperti i OBSH-së Abdi Mahamoud shtoi: “Edhe pse po shohim një ulje të numrit të antitrupave neutralizues, pothuajse të gjitha të dhënat tregojnë se qelizat T mbeten të pandryshuara dhe ne kemi vërtet nevojë për këtë”.

Qelizat T mund të parandalojnë format e rënda të sëmundjes duke sulmuar qelizat e infektuara.

“Omicron ka një shans më të lartë për infeksion ose ri-infeksion te njerëzit që janë vaksinuar dhe ata që janë shëruar nga COVID-19,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Swaminathan shtoi se ishte ende herët për të arritur në përfundimin se varianti omicron ishte më i butë se variantet e tjera të koronavirusit dhe paralajmëroi se sistemet shëndetësore mund të mbingarkoheshin.

“Ndoshta nuk është e mençur të relaksoheni dhe të mendoni se ky është një variant i lehtë, se nuk do të shkaktojë sëmundje serioze, sepse mendoj se me rritjen e numrit të të infektuarve, të gjitha sistemet shëndetësore do të jenë nën presion”, tha ajo.

Ajo shpjegoi se, perceptimi se varianti omicron është një lloj më i butë bazohet në të dhënat fillestare nga pjesë të Afrikës së Jugut, të cilat mund të jenë e rreme, pasi një përqindje e madhe e popullsisë atje tashmë është infektuar me koronavirus dhe ka fituar njëfarë imuniteti.

Ekspertët e OBSH-së thonë se shpresa për t’i dhënë fund pandemisë rritet nga zhvillimi i vaksinave të gjeneratës së dytë dhe të tretë, zhvillimi i mëtejshëm i ilaçeve dhe inovacione të tjera.

Pandemia deri më tani ka marrë mbi 5.6 milionë jetë në mbarë botën.