Sipas hulumtimit të botuar në Journal of Clinical Periodontology, pacientët me COVID-19 kanë të paktën tre herë më shumë gjasa të zhvillojnë komplikime nëse ata gjithashtu kanë sëmundje të mishrave të dhëmbëve.
Një studim i më shumë se 500 pacientëve me COVID-19 zbuloi se ata me sëmundje të mishit të dhëmbëve kishin 3.5 herë më shumë gjasa të pranoheshin në kujdes intensiv për shkak të koronavirusit. Në të njëjtën kohë, ata pacientë kanë 4.5 herë më shumë gjasa të kenë nevojë për aparat respirator dhe dhjetë herë më shumë gjasa të vdesin, sesa ata pa sëmundje të mishrave të dhëmbëve.
“Kujdesi oral duhet të jetë pjesë e rekomandimeve shëndetësore për të zvogëluar rrezikun e rezultateve të ashpra të COVID-19”, thekson Prof. Lior Shapira, kryetar i Federatës Evropiane të Periodontikës.
Periodontiti është formë serioze e sëmundjes së mishit të dhëmbëve që prek rreth gjysmën e të rriturve në botë. Shkakton inflamacion të mishit të dhëmbëve, dhe nëse nuk trajtohet, mund të përhapet në të gjithë trupin.
Ky studim tregoi lidhjen midis periodontitit dhe ndërlikimeve të shkaktuara nga COVID-19.
Studimi përfshiu 568 pacientë të diagnostikuar me COVID-19 në periudhën shkurt – korrik 2020. 40 pacientë kishin komplikime, ndërsa 528 jo. Informacioni u mblodh mbi sëmundjen e mishit të dhëmbëve dhe faktorë të tjerë që mund të shoqërohen me ndërlikime të shkaktuara nga COVID-19, përfshirë indeksin e masës trupore, astmën, pirjen e duhanit, diabetin dhe tensionin e gjakut.
Të dhënat treguan se 258 pacientë (45%) kishin sëmundje të mishit të dhëmbëve.
Prof. Mariano Sanz, një nga autorët e studimit, zbuloi se bakteret orale te pacientët me periodontit mund të infektojnë mushkëritë, gjë që mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme për ata pacientë që janë në aparat respirator. Ai këshillon që personeli i spitalit duhet të identifikojë se cilët pacientë me COVID-19 kanë periodontit, për t’u dhënë antiseptikë oralë, për të zvogëluar transmetimin e baktereve.