Krahasuar me shkallën mesatare të zgjimit të pacientëve pas “heqjes” nga respiratori, personat e sëmurë rëndë me COVID-19 shpesh kanë nevojë për shumë më shumë kohë për të rifituar vetëdijen, kanë zbuluar shkencëtarët.
Studiuesit amerikanë shqyrtuan të dhënat nga 795 pacientë të shtruar në spital me COVID-19 të rëndë në tre qendra mjekësore gjatë dy valëve të para të pandemisë.
Të gjithë ishin në respirator për të paktën gjashtë ditë, kohë gjatë së cilës ata ishin në koma.
Pasi u hoqën nga mbështetja respiratore, 72 për qind e pacientëve përfundimisht rifituan vetëdijen, por 25 për qind iu deshën të paktën 10 ditë për t’u zgjuar, ndërsa 10 për qind mbi 23 ditë për t’u rikuperuar.
Pacientëve që përjetuan më shumë episode të mungesës së oksigjenit u duhej më shumë kohë për të rifituar vetëdijen, thanë studiuesit në një studim të botuar në Annals of Neurology.
“Gjetjet tona sugjerojnë që për pacientët me COVID-19 të rëndë, vendimi për të ndërprerë mbështetjen e jetës nuk duhet të bazohet vetëm në periudha të zgjatura të pavetëdijes, pasi këta pacientë mund të shërohen përfundimisht”, tha Dr. Jan Klassen nga qendra mjekësore në Universitetin Irving në Nju Jork.
“Këto gjetje ofrojnë udhëzime më të sakta për familjet që vendosin nëse do të vazhdojnë terapinë mbështetëse të respiratorit për pacientët pa vetëdije me COVID-19”, tha Dr. Brian Edlow.