Nga 54 pacientët onkologjikë që u infektuan me koronavirus pavarësisht se ishin vaksinuar me dy doza të vaksinës, ndërsa para se të merrnin dozën përforcuese, 65 për qind u shtruan në spital, 19 për qind përfunduan në njësinë e kujdesit intensiv dhe 13 për qind vdiqën, tregojnë të dhënat e Konsorciumit ndërkombëtar për hulumtimin e COVID-19 dhe kancerit.
Studimi nuk analizoi efektivitetin e vaksinave në parandalimin e infeksionit.
Por, midis pacientëve të vaksinuar me dy doza të koronavirusit, COVID-19 ishte po aq i rëndë sa në një grup prej 1656 pacientësh të pavaksinuar me kancer dhe COVID-19, raportuan studiuesit në Annals of Oncology. Rreziku u zbulua të jetë më i lartë për pacientët me kancer në gjak.
“Shumë studime sugjerojnë se pacientët që vuajnë nga ndonjë formë kanceri nuk arrijnë të prodhojnë përgjigje të fortë imune në organizëm, ndërsa ky është studimi i parë i madh që ndoshta tregon për pasojat”, tha Dr. Jeremy Warner nga Universiteti Vanderbilt.
“Tek pacientët me kancer, doza shtesë përforcuese është thelbësore, siç është mbajtja e vazhdueshme e maskave mbrojtëse, ruajtja e distancës fizike dhe inkurajimi i të gjitha kontakteve të tyre të afërta për t’u vaksinuar,” thekson Dr. Warner.