
Ish duhanpirësve u duhet të presin 15 vjet, që rreziku i sëmundjeve të zemrës dhe të trurit të kthehet në nivelin e njejtë si tek jo-duhanpirësit, tregoi studimi i ri, i cili u zhvillua në Universitetin Vanderbilt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas analizimit të të dhënave të mbledhura nga 8 700 persona, për një periudhë prej 50 vitesh, shkencëtarët zbuluan se sa kohë i nevojitet organizmit të një duhanpirësi të shërohet plotësisht.
Sipas udhëheqësit të studimit, Merritt Duncan, ky është një lajm i mirë, sepse zemra dhe enët e gjakut shërohen shumë më shpejt se sa mushkëritë.

Për të arritur rezultate sa më të sakta, ekipi profesional mblodhi të dhëna nga një studim i cili u zhvillua nga viti 1948 deri më vitin 1975, dhe përfshiu dy breza njerëzish, gjysma prej të cilëve ishin duhanpirës.
Ekipi i Dr. Duncan, si duhanpirës të rëndë i veçoi ata të cilët pinin nga një pako cigare çdo ditë për një periudhë 20 vjeçare, ku studimi zbuloi se 70% e sulmeve të zemrës u përkasin duhanpirësve të rëndë.
Pas pesë viteve nga mos pirja e duhanit, rreziku i sulmit në zemër u ul për 38%. Por u deshën rreth 15 vjet, që sistemi i tyre kardiovaskular të kthehej në nivelin që ishte para se të fillonin të pinin duhan.
“Për njerëzit që pinë shumë cigare, me kalimin e viteve mund të ndodh që gjendja e enëve të gjakut dhe mushkërive asnjëherë të mos normalizohet plotësisht, por e rëndësishme është që të mbahet mend se rreziku i sëmundjeve ulet ndjeshëm, prandaj ky studim është shumë i rëndësishëm”, përfundoi Dr. Duncan.