Fëmija juaj shpesh është në humor të keq, i zemëruar, shpesh e shtyni të mendojë për sjelljen e tij, por keni ndjenjën se nuk po arrini asgjë dhe pyesni veten pse është kështu? A nuk duhet që një fëmijë të jetë i lumtur dhe i buzëqeshur gjatë gjithë kohës? Pavarësisht nga perceptimi i zakonshëm se vetëm të rriturit priren të kenë ndryshime të humorit, ekspertët shpesh theksojnë se ndryshimet e humorit, janë krejtësisht normale edhe tek fëmijët. Fëmijët, veçanërisht të vegjlit, kanë tendencë të jenë të pa disponuar. Megjithatë, disa fëmijë kanë këto ndryshime humori më shpesh se të tjerët.
Kjo sjellje tek fëmijët mund t’i atribuohet paaftësisë së tyre për të shprehur emocione të forta, si zhgënjimi dhe pakënaqësia. Megjithëse çdo ndërveprim me një fëmijë me humor të keq mund të jetë i pakëndshëm, ju nuk keni zgjidhje tjetër veçse t’i rregulloni gjërat.
Në shumicën e rasteve, problemet që lidhen me luhatjet e humorit të një fëmije mund të zgjidhen në shtëpi. Megjithatë, në disa raste, kur shihni se humori i keq dhe dembelizmi bëhen pjesë e personalitetit të fëmijës, sigurisht që mund të flisni për këtë me një pediatër.
Por, ja për çfarë duhet të keni kujdes në marrëdhënie me një fëmijë të tillë.
- Edukoni fëmijën tuaj
Mënyra se si e edukoni fëmijën tuaj ndikon shumë. Pavarësisht punës dhe përgjegjësive të tjera në jetë, është e rëndësishme të kaloni kohë cilësore me fëmijën tuaj. Fëmijët ndihen të sigurt me vëmendjen e prindërve. Do të ishte ideale, që të dy prindërit të kalojnë kohë cilësore me fëmijën.
2. Lejoni të shprehen
Shtëpia juaj duhet të jetë një vend ku fëmija juaj mund të shprehet pa asnjë frikë. Ndonjëherë fëmijët janë në humor të keq, sepse nuk dinë se çfarë të bëjnë. Fëmijët përvetësojnë modele të sjelljes pasive për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Përmbahuni nga shpjegimi ose detyrimi i fëmijës suaj që të flasë me ju kur ai është i mërzitur. Jepini atij kohë të qetësohet. Flisni me të para gjumit ose ndërsa bëni ndonjë aktivitet argëtues.
3. Inkurajoni sjelljen pozitive
Është e rëndësishme që nëna dhe babai të punojnë së bashku dhe të bien dakord për mënyrat e shprehjes së fëmijës së tyre. Mund t’i tërhiqni vëmendjen se është më mirë ta ndajë problemin me prindërit në vend që të heshtë dhe të mbyllet në vetvete. Shpjegojini atij se nuk do të reagoni keq për çdo gjë që ai thotë, përkundrazi do ta zgjidhni problemin së bashku.
4. Rrini të qetë
Kini kujdes të mos reagoni tepër kur fëmija është i mërzitur. Kjo do t’i japë atij vetëm një nxitje shtesë për t’u sjellë keq. Gjëja më e mirë që mund të bëni është ta lini atë të shprehë pakënaqësinë e tij dhe ta pranojë atë, në vend që ta injorojë. Vlerësimi ju ndihmon edhe juve edhe atij dhe mund ti sugjeroni disa zgjidhje.
Mësoni të dalloni shkaqet që ndikojnë negativisht tek fëmija. Flisni me të për problemin kur të qetësohet. Nëse uria po shkakton luhatje të humorit, përpiquni t’i jepni gjithmonë vakte të rregullta.
5. Mbani në nivel të ulët stresin në shtëpitë e juaja
Prindërit, në shtëpi duhet që stresin ta mbajnë në nivelet e ulëta. Nuk është e lehtë, sigurisht. Fëmijët janë më të prekur nga situatat stresuese. Kur shtëpia e tyre është burim stresi, fëmijët bëhen me humor të keq dhe ankth. Zemërimi i ekspozon lehtë fëmijët ndaj stresit. Mundohuni të shmangni zemërimin edhe kur duhet të merreni me fëmijën tuaj të acaruar.
Përktheu dhe përshtati:S.N