Prim. Dr. Ivanka Stefanovska: Periudha në rritje shpesh çon në devijime të caktuara të shtyllës kurrizore tek fëmija

Periudha e rritjes shpesh herë çon në devijime të caktuara të boshtit kurrizor. Ndonjëherë ato janë të lejueshme dhe kalimtare, por ka edhe situata kur ato kalojnë nëpër deformime të rënda të shtyllës kurrizore. Kjo është pikërisht arsyeja që prindërit dhe mësuesit duhet të jenë më të kujdesshëm.

Shkruan: Prim. Dr. Ivanka Stefanovska

ortoped


Problemet me shtyllën kurrizore janë më të zakonshme tek njeriu bashkëkohor. Shtylla kurrizore na kujton se nuk ka kaluar shumë kohë nga “drejtimi i dy këmbëve” dhe se evolucioni është një proces i gjatë, ndërsa ndryshimet – graduale.

Shtylla kurrizore është pjesa më e ndikuar e trupit të njeriut, rregullimi i të cilit në pozicionin drejtë vazhdon akoma nga njëra anë, mirëpo nga ana tjetër ngarkesa e përditshme e mënyrës moderne të jetesës është me të vërtetë e madhe. Pikërisht për këto arsye duhet të bëjmë kujdes në rritjen dhe zhvillimin e shtyllës kurrizore të fëmijëve tanë.

Periudha e rritjes shpesh herë çon në devijime të caktuara të boshtit kurrizor. Ndonjëherë ato janë të lejueshme dhe kalimtare, por ka edhe situata kur ato kalojnë nëpër deformime të rënda të shtyllës kurrizore. Vetë rritja paraqet rrezik të mjaftueshëm për shkak të shkallës së rritjes dhe pamundësisë së të gjitha strukturave vertebrore për t’u përshtatur shpejt ndaj rritjes intensive.

Rritja më intensive ndodh pikërisht gjatë periudhës shkollore. Por përveç rritjes, rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e shtyllës kurrizore kanë edhe faktorët e mjedisit të brendshëm dhe zakonet e fëmijës.


AKTIVITETI I RREGULLT FIZIK

Përveç zhvillimit skeletor, për rritjen normale dhe zhvillimin e shtyllës kurrizore rol shumë të rëndësishëm luan edhe zhvillimi i muskujve. Ato paraqesin mbështetës të shtyllës kurrizore dhe aktiviteti i duhur i tyre mundëson rritjen dhe zhvillimin normal.

Për të siguruar aktivitet normal muskulor të muskujve të shtyllës kurrizore, është i nevojshëm aktivitet i rregullt fizik.

Kjo nënkupton stërvitje të rregullt gjatë orëve të edukimit fizik, gjatë të cilave fëmijët duhet të mësojnë se si të ushtrojnë në mënyrën e duhur për të forcuar muskujt rreth boshtit kurrizor dhe muskujt e barkut.

Këto orë mësimore duhet të hartohen në mënyrë që fëmijët të zhvillojnë zakone të shëndosha për ushtrime të rregullta të trupit dhe nevojën për aktivitete të rregullta. Ato nuk duhet në asnjë mënyrë të shmangen ose zëvendësohen me aktivitete të tjera shkollore. Ajo që prindërit mund të bëjnë është që të sigurohen që fëmijët e tyre të kenë aktivitet të rregullt fizik në formën e stërvitjes së rregullt ose të paktën rekreacion të rregullt për të mundësuar aktivitetin, shtrirjen e shtyllës kurrizore dhe aktivizimin e pjesëve së sipërme të trupit – lojëra me topa, pompa, not, ngjitje në dru dhe të ngjashme.

POZICIONI I DREJTË I TRUPIT GJATË MËSIMIT DHE PARA KOMPJUTERIT

Përveç aktivitetit të rregullt fizik, pozicioni që fëmija merr gjatë mësimit ose punës në kompjuter është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Këto aktivitete marrin shumë kohë gjatë gjithë ditës dhe për këtë arsye fëmijët duhet të kenë karrige dhe tavolina pune të përshtatshme për t’i mundësuar qëndrimin e drejtë të trupit derisa mësojnë dhe punojnë në kompjuter, si në shkollë ashtu edhe në shtëpi. Përveç kësaj, mësuesit dhe prindërit duhet t’i paralajmërojnë fëmijët të ulen siç duhet gjatë këtyre aktiviteteve.

MË PAK NGARKESË NË ÇANTAT E SHKOLLËS

Gjatë vitit shkollor faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e shtyllës kurrizore janë edhe çantat e shkollës, përkatësisht ngarkesa e tyre.

Nevoja për më shumë mjete mësimore është domosdoshmëri në sistemin modern shkollor. Por fëmijët nuk kanë mundësinë që t’i lënë librat në shkollë dhe i mbajnë çantat deri në shkollë, nga shkolla, por shpesh herë edhe çdo orë, për shkak të mësimeve në kabinet.

Pesha mesatare e çantës shumë shpesh paraqet përqindje të lartë të peshës së fëmijës, që do të thotë se fëmijës i duhet shumë përpjekje për të mbajtur atë peshë. Kjo gjendje mund të kontribuojë në zhvillimin e deformimit të boshtit kurrizor, i cili nëse nuk vihet re në kohën e duhur, mund të krijojë probleme serioze në shtyllën kurrizore. Komunikimi i arsyeshëm midis prindërve dhe mësuesve dhe veprimtaria e këshillave prindërore mund të ndihmojë në zhvillimin e një qasjeje racionale për mbajtjen e pajisjeve shkollore, planifikimin e aktiviteteve, ndërsa me këtë të ulet edhe pesha e çantave.

EKAZMINIMI I RREGULLT 

Së fundmi, përkundër të gjitha masave që prindi mund të marrë, fëmijët duhet të monitorohen rregullisht edhe nga profesionistët për të zbuluar ndryshimet dhe për të korrigjuar çdo parregullsi të rritjes në kohën e duhur. Rritja e fëmijëve është kënaqësia më e madhe për çdo prind. Shqetësimi ynë është t’i ndihmojmë ata që të rriten të shëndetshëm dhe pa probleme të mëdha. Kjo nënkupton kujdes aktiv dhe monitorim të rregullt të rritjes. Ndonjëherë ky kujdes paraqet angazhim më të madh si në familje, ashtu edhe në shkollë. Por kjo është detyra jonë!