Shkruan: Prim. Dr. Lidija Biserkoska-Atanasovska
Dermatologe
Djersitja e tepërt ose hiperhidroza është dukuri e zakonshme dhe paraqet reagim të pavetëdijshëm të trupit si përgjigje të rritjes së temperaturës trupore, eksitimit emocional ose ngarkesës psikike. Djersitja kontrollohet nga nervat që janë pjesë e sistemit nervor autonom, që kontrollojnë shumë funksione të pavetëdijshme të trupit, ndërsa në funksionin e gjëndrave të djersës shpesh ndikojnë edhe shumë faktorë, si temperatura dhe lagështia e mjedisit, çrregullimet hormonale, nervore dhe metabolike, ilaçet e ndryshme…
Zakonisht djersitja e tepërt njihet si hiperhidroza simetrike, domethënë djersitje që më së shpeshti lokalizohet në të dyja shuplakat, shputat, djersitjen nën sqetulla, në fytyrë dhe në kokë, ose si kombinim i të gjitha këtyre.
Për të caktuar diagnozë e hiperhidrozës primare, është e nevojshme historia afatgjate e djersitjes, si dhe ekzaminim klinik i pacientit.
Shkaku i kësaj djersitje është i panjohur, ndërsa fillon në adoleshencë dhe ka tendencë të zvogëlohet me moshën. Kundrejt hiperhidrozës së lokalizuar, hiperhidroza e përgjithësuar është djersitje qe e përfshinë të gjithë trupin. Kjo është si pasojë e infeksioneve, ndryshimeve hormonale (menopauzës), diabetit, funksioni i rritur i gjëndrës tiroide ose medikamente të tilla si fluoksetina (antidepresiv). Ndonjëherë shkaku i kësaj lloj djersitjeje nuk mund të identifikohet.
Të dyja llojet e djersitjes janë të dukshme – rroba të lagura, shuplaka të djersitura, qafa dhe flokët e lagura.
Çfarë ndikon në punën e gjëndrave të djersës?
- Temperatura e ambientit
- Lagështia e mjedisit
- Çrregullimet hormonale
- Çrregullimet nervore
- Çrregullimet metabolike
- Medikamentet e ndryshme
TRAJTIMI DHE MJEKIMI
Mjeku mund të kryejë disa teste për infeksion, diabet ose për një numër gjendjesh tjera dhe, nëse ka shkaktarë, djersitja e tepërt mund të shërohet. Shumica e njerëzve tashmë kanë provuar shumë antiperspirantë të disponueshëm në treg. Nëse nuk e kontrollojnë djersitjen, duhet të shkoni për vizitë te dermatologu.
Këto antiperspirantë komercial përmbajnë përbërësin aktiv klorur alumini. Preparatet me përqendrim të lartë përshkruhen për djersitje axillare (nën sqetulla), shputa dhe shuplaka, ndërsa formalina në formë të lëngshme lejohet vetëm për shputat. Në trajtimin e djersitjes së tepërt aplikohet jontoforeza, kjo është procedurë përmes së cilës energjia elektrike përdoret për të “përjashtuar” gjëndrat e djersitjes. Ky trajtim është zakonisht efektiv për duart dhe këmbët. Trajtimi zgjat 10-20 minuta dhe përsëritet disa herë.
Hiperhidroza gjithashtu mund të mjekohet edhe me toksinë botulinum, e cila mund të injektohet në doza të vogla, duke bllokuar punën e nervave që aktivizojnë gjëndrat e djersës. Ky trajtim me të vërtetë funksionon menjëherë, efekti zakonisht zgjat gjashtë muaj, ndërsa trajtimi mund të përsëritet më shpesh për djersitje nën sqetull, por jo në zona më të mëdha. Krem anestezik aplikohet në lëkurë, por kjo pjesë zakonisht nuk është aq e ndjeshme ndaj dhimbjes. Për shputat dhe shuplakat më rrallë përdoret botoksi, pasi mund të shkaktojë dobësi të gjymtyrëve kalimtare por edhe procedura është e dhimbshme.
Trajtimi i djersitjes së tepërt përfshin metoda kirurgjikale, si dhe ilaçe. Kirurgjia mund të përfshijë simpatektominë, kiretimin ose heqjen e gjëndrave.
Simpatektomia është metodë kirurgjikale që përdoret për djersitjen e tepërt kryesisht të shuplakave, por akoma mbetet ndjenja e shuplakave të ngrohta dhe të thata. Efekt shumë i zakonshëm, serioz dhe anësor është rritja e djersitjes në pjesët e tjera të trupit, gjë që mund të përkeqësojë gjendjen e përgjithshme. Metoda të tjera kirurgjikale, të tilla si heqja e gjëndrave ose kiretimia, aplikohen vetëm për hiperhidrozën nën sqetull. Ilaçet antikolinergjike bllokojnë sinjalin kimik nga nervat deri në gjëndrat e djersës, por ato shpesh kanë efekte anësore, siç janë problemet me shikimin, konstipacionin dhe problemet me urinimin, kështu që nuk mund të aritet doza e shtuar e ilaçit, që të mund të kontrolloj djersitjen.
Shkaktarët më të zakonshëm për djersitjen e gjithë trupit
- Infeksionet
- Ndryshimet hormonale (menopauza)
- Diabeti
- Funksioni i rritur i gjëndrës tiroide
- Medikamentet (disa antidepresivë)
- Shkaktarë të panjohur
VETËNDIHMË
Nëse trajtimi nuk është i mundur ose nuk ka efekt të mjaftueshëm, është e rëndësishme që pacienti të vërejë të gjitha gjendjet dhe situatat e tij të djersitjes dhe t’i shmang ato. Në atë mënyrë mund të ndihmojmë veten për të kapërcyer djersitjen. Këto situata janë: qëndrimi në vendet me temperaturë të lartë, nxitimi, pirja e alkoolit, ngrënia e ushqimeve pikante…