Prim. Dr. Lidija Biserkoska-Atanasovska: Cilat janë problemet më të zakonshme të lëkurës së fytyrës dhe çfarë duhet të bëni

Problemet më të zakonshme të lëkurës së fytyrës janë: puçrrat, rosacea, ekzema dhe dermatiti, si dhe pigmentimi jo i rregullt. Por këtu bëjnë pjesë edhe ndryshimet e shumta që janë rezultat i dëmtimit që vjen nga dielli, siç është paraqitja e kancerit të lëkurës së fytyrës, i cili duhet trajtuar siç duhet.

Shkruan: Prim. Dr. Lidija Biserkoska-Atanasovska

dermatologe


Problemet me lëkurën e fytyrës janë problemet më të zakonshme dermatologjike tek njerëzit. Pavarësisht nëse janë ndryshime të dhimbshme ose jo, ato paraqesin stres për pacientin, pasiqë janë të dukshme dhe mund të ndikojnë seriozisht në vetëbesimin dhe cilësinë e jetës së njeriut.

Kur bëhet fjalë për problemet e lëkurës së fytyrës, arsyet për vizitën ose kërkimin e këshillave nga mjek mund të jenë të shumta, por më e rëndësishmja është që trajtimin fillestar dhe diagnostikimin e sëmundjes ta bëj dermatologu juaj.

Problemet më të zakonshme të lëkurës së fytyrës janë: puçrrat, rosacea, ekzema dhe dermatiti, probleme të lëkurës së fytyrës, pigmentimi jo i rregullt, por edhe kanceri lëkurës.

PUÇRRAT

Problemi më i zakonshëm për të cilin trajtimi është i nevojshëm janë puçrrat. Megjithëse ato janë shumë të zakonshme tek adoleshentët, ato nuk duhet të injorohen sikur të ishin  pjesë e rritjes normale. Edhe forma e mesme e rëndë e puçrrave mund të ndikojë negativisht dhe të çojë në pasoja psikologjike dhe sociale. Kohët e fundit, puçrrat si problem paraqiten edhe tek personat e moshës mbi 25 vjeçare, veçanërisht tek femrat, mirëpo ndodh që të paraqiten edhe në moshën 30 dhe 40 vjeçare.

Puçrrat mund të shkaktojë shenja në lëkurë, kështu që është e nevojshme t’i trajtojmë ato në kohën e duhur dhe të zvogëlojmë intensitetin dhe kohëzgjatjen e inflamacionit.

Terapia përfshin kremra të ndryshme, preparate për pastrimin e fytyrës, antibiotikë që veprojnë në puçrra, si dhe tableta me vitaminë A, retinoide orale, dhe të ngjashme. Konsiderohet se tabletat janë efektive edhe në doza shumë të vogla, kështu që pacientët i tolerojnë ato pa probleme të mëdha. Në trajtimin e shenjave, efekt i shkëlqyeshëm mund të arrihet me pilingun kimik, me trajtime me lazer, me lazera ablativ dhe jo-ablativ. Përveç sipërfaqes, ato gjithashtu ndikojnë edhe në fibrat e kolagjenit duke stimuluar formimin e e kolagjenit të ri. Nëse puçrrat përsëriten, dmth puçrrat e adoleshencës janë zhdukur, por janë shfaqur përsëri së bashku me rrudhat, trajtimi mund të bëhet jo vetëm me anë të aplikimit lokal të  kremit, por edhe me lazer, i cili jep rezultat shumë të fuqishëm duke e rimodeluar dhe shtrënguar indin. Sa të rëndësishme janë këto trajtime të përshtatshme për pacientin, aq i rëndësishëm është edhe kujdesi ditor, pasiqë pa të mund të përkeqësohet gjendja e akneve tashmë të pranishme, ose mund të shfaqen edhe të reja.

Problemet me lëkurën e fytyrës paraqesin stres për pacientin, pasiqë janë të dukshme dhe mund të ndikojnë seriozisht në vetëbesimin dhe cilësinë e jetës, thekson Dr. Biserkoska.

ROSACEA

Rosacea është problem kronik dhe shumë i zakonshëm i lëkurës së fytyrës tek të rriturit, të cilat mund të keq-diagnostikohen si puçrra. Zakonisht paraqiten tek femrat, veçanërisht tek ato me lëkurë të ndritshme. Ajo manifestohet nga paraqitja e papuleve dhe pustuleve, me skuqje në fytyrë dhe me shfaqjen e kapilarëve.

Sot papulet dhe pustulet trajtohen në mënyrë mjaftë efikase, por shfaqja e tyre në kombinim me skuqjen e fytyrës dhe enëve të gjakut të zgjeruara, kanë qenë një problem i madh deri në paraqitjen e lazerave në praktikën dermatologjike.

Po aq i rëndësishëm sa trajtimet mjekësore është edhe respektimi i disa mënyrave të shëndetshme të jetës dhe shmangia e faktorëve që rrisin simptomat e sëmundjes, siç është dielli, ushqimi me erëza, alkooli dhe kafja. Jo më pak e rëndësishme është edhe lloji i produkteve që përdoren për kujdesin e përditshëm.

EKZEMA DHE DERMATITI

Ekzema dhe dermatiti seborrheic janë sëmundje shumë të zakonshme të lëkurës. Ekzema është e zakonshme edhe tek foshnjat edhe tek fëmijët, por mund t’i prek edhe të rriturit. Gjatë trajtimit me krema aktiv mjekësor ose tableta në rastet më të rënda, e rëndësishme është që të përdoret lloji i duhur i kremit emolient. Duhet të dihet se përveç kremrave steroide, rekomandohen edhe kremrat antiinflamatorë që nuk kanë steroide dhe diskutojmë rreth regjimit higjieno-dietetike dhe se si ato ndikojnë në rrjedhën e inflamacionit. Nëse dyshojmë për alergji kontakti, atëherë kryejmë patch testin, si dhe testimin intradermal me alergjenët e ushqimit. Dermatiti seborrheic është më i zakonshëm tek meshkujt, edhe atë kryesisht rreth vetullave dhe zonë nasolabiale. Përveç kësaj, lëkura është skuqur dhe është e mundshme ndjenja e kruarjes së lehtë. Gjendja është kronike, por me trajtim efektiv mund të kontrollohet.

PIGMENTIMI JO I RREGULLT

Në jetën e përditshme ne shohim shumë pacientë me ndryshime të ngjyrës së fytyrës në pjesë të vogla ose të mëdha (chloasma, melasma), me pigmentim uniform ose rrjetë, e cila është e ndërlidhur me ekspozimin e tepërt të UV-së dhe procesin e plakjes. Edhe pse këto probleme me pigmentimin janë mjaftë të qëndrueshme, kombinimi i trajtimeve mund të jetë shumë efektiv. Këto kombinime përfshijnë aplikimin lokal të kremës, vizitë tek mjeku për zbatimin e një protokolli të veçantë terapeutik, dmth., piling kimik një herë në javë dhe përdorimin e llojeve më të reja të trajtimeve me lazer.